Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Driton Gashit ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, kurse janë liruar nga akuza Valon Krasniqi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, të cilët akuzoheshin për korrupsion në rastin e njohur si “Gylenistët”.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues gjykatësi, gjykatësja Violeta Namani.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se i akuzuari Drilon Gashi është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe dënim plotësues “Ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike” në kohëzgjatje prej 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
I akuzuari Valon Krasniqi është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Edhe i akuzuari Rrahman Sylejmani është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore thuhet se përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuara për realizimin e kërkesave pasurore juridike, udhëzohen në kontestin civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore, shkruan Telegrafi.