Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë veriore, Arben Taravari, ka mbështetur hapur bartësin e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen të dielën në Serbi.
Taravari, mbështetjen për Kamberin e ka bërë përmes një postimi në facebook.
“Kam marrë lajmin e mirë se në Preshevën e dashur për çdo shqiptar ka shpallur kandidaturën për deputet z.Shaip Kamberi” – ka shkruar ndër të tjera kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Tutje, ai ka thënë edhe se: “Preshevës i duhen më shumë se kurrë burra të mirë si Shaipi”.
Ndryshe, Taravari ka shkruar edhe për gjendjen e rënduar të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
”Gjendja e rënduar e popullit aty, ka ardhur nga një politikë diskriminuese millosheviste e zbatuar me përkushtim nga Aleksandar Vuçiç…por guximit, inteligjencës dhe sidomos të drejtës së Shqiptarëve për të qenë të barabartë e zot në tokë të tyre nuk ka asnjë politikë serbe që i bën ballë!
Shpresoj masovikisht që ditën e zgjedhjeve të përkrahet Shaip Kamberin sepse është njeriu i duhur që do të mbrojë interesat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që janë interesat e çdo shqiptari!” – thuhet në fund të postimit, të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e veriut.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të zhvillohen më 17 dhjetor. Për këto zgjedhje, po garojnë edhe dy listat shqiptare, ajo e Shaip Kamberit e përbërë nga PVD, PDSH, LPD, UDSH dhe AL, dhe ajo e Shqiprim Arifit e përbërë nga APN dhe LR./LUGINALAJMI/