Moskokëçarja dhe mosveprimi i Shqiprim Arifit para programit të Serbisë për fatin e shqiptarëve etnikë në Preshevë është një tradhti e rëndë ndaj zgjedhësve të tij.
Në sferën e çështjeve ndërkombëtare, disa individë shfaqin shpërfillje të çuditshme ndaj mirëqenies së popullit të tyre, duke bërë kurban mirëqenien e zgjedhësve të tyre për përfitime personale ose interesa politike. Shqiprim Arifi, kryebashkiaku i Preshevës, është një shembull i shkëlqyeshëm i një udhëheqjeje të tillë të pafuqishme. Veprimet e tij të fundit – ose mungesa e tyre – nxjerrin në pah bashkëpunimin e tij në asimilimin sistematik të popullsisë etnike shqiptare brenda bashkisë së tij, që e bën Serbia.
Si një shqiptar etnik, pritet që Arifi të jetë një mbështetës i zëshëm i të drejtave dhe i mbrojtjes së shqiptarëve të tij. Megjithatë, janë thellësisht shqetësuese heshtja dhe mosveprimi i tij përballë programit të rrezikshëm të Serbisë, që është duke bërë llogaritjet e saj për të zvogëluar numrin dhe ndikimin e shqiptarëve etnikë në rajonin e Preshevës, nëpërmjet pasivizimit të adresave të tyre, shlyerjes së tyre dhe duke rrezikuar të drejtat e tyre njerëzore, civile dhe politike në Serbi.
Detyra e Arifit si një shërbëtor publik është t’i mbrojë interesat e zgjedhësve të tij. Mirëpo, ai ka zgjedhur t’i mbyllë sytë për fatin e popullsisë etnike shqiptare, duke e harruar përgjegjësinë e tij për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre. Me bashkëpunimin në fushatën e rrezikshme agresive të Serbisë kundër bashkëkombasve të tij, Arifi ka tradhtuar vetë popullin që e zgjodhi për t’i prirë.
Sipas kandidatëve që garuan në vitin 2018 për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, siç raporton Balkan Insight, përdorimi i flamurit kombëtar nga shqiptarët në Serbi, për qëllime zyrtare, shoqërohet me gjobitje të rëndë.
Bashkia e Preshevës ka qenë për kohë të gjatë një qendër e fortë e komunitetit etnik shqiptar dhe ruajtja e pranisë së tij duket se është e pakuptimtë për kryebashkiakun Arifi. Është e trishtueshme të shohim dështimin e Arifit për ta adresuar këtë çështje kritike dhe për të dalë kundër përpjekjeve të llogaritura serbe, për ta zvogëluar popullsinë shqiptare brenda juridiksionit të saj.
Ndonëse, Arifi mund të pretendojë se është një shërbëtor publik që punon për interesat e zgjedhësve të tij, veprimet – ose mungesa e tyre – flasin më shumë sesa fjalët. Duke e lejuar Serbinë të veprojë për t’i përmbushur synimet alarmante të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve etnikë në rajonin e Preshevës, Arifi ka braktisur detyrën morale, duke e tradhtuar besimin e atyre që e sollën në pushtet.
Programi i Serbisë: Një kërcënim për stabilitetin dhe integritetin e rajonit
Pasojat e programit të Serbisë shtrihen përtej kufijve të Preshevës, duke paraqitur një kërcënim të rëndë për stabilitetin dhe integritetin e tërë rajonit.
Së fundmi presidenti serb, Aleksandar Vucic, i cili bashkërendon politikën e tij të jashtme me Kremlinin, është përpjekur të kryejë një agresion territorial kundër Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, duket se kryebashkiaku i Preshevës, Shqiprim Arifi, po shërben si një vegël e propagandës shpërfillëse të Vucicit kundër drejtuesve të Kosovës, gjithmonë duke përdorur flamurin amerikan si një mbulesë mashtruese.
Dëshiroj t’ia rikujtoj me mirësi Arifit dhe lexuesve shqiptarë se Aleksandar Vucic ka shërbyer si ministër i Propagandës të Serbisë gjatë regjimit të Milosevicit. Vucici i ka arsyetuar në mënyrë agresive krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer gjatë luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ndonëse, Vucici mund të gëzojë mbështetje nga diplomatët perëndimorë, flamurin e të cilit Arifi po e përdor si mbulesë për të fshehur mbështetjen e tij ndaj programit të Vucicit, është e rëndësishme të theksojmë se në shtatorin e kaluar administrata e Vucicit nënshkroi një marrëveshje politike në New York me Moskën zyrtare. Më tej, ai asnjëherë nuk është distancuar nga fashizmi i frymëzuar nga Milosevici, narrativat politike ose krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, veçanërisht ato të kryera kundër shqiptarëve etnikë, të cilat ai vetë i ka arsyetuar.
Le të kthehemi në Luginën e Preshevës
Duke i shlyer shqiptarët etnikë dhe duke i shtypur të drejtat e tyre, Serbia synon të vazhdojë margjinalizimin e tyre. Veprimet e tilla jo vetëm që janë të papërgjegjshme, por edhe shkelin drejtpërdrejt standardet ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Është e domosdoshme që Arifi të japë llogari për shkeljen e detyrës së tij dhe të kujtohet për përgjegjësinë e tij, për t’i mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e zgjedhësve të tij. Popullsia shqiptare etnike në Preshevë meriton një drejtues që do t’i kundërshtonte me vendosmëri taktikat e Serbisë dhe do të luftonte për të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore, civile dhe politike.
Përballë fushatës së përpjekjeve të Serbisë për ta zvogëluar numrin e shqiptarëve etnikë në Preshevë, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet në ndëshkimin e veprimeve të tilla. Por, komuniteti ndërkombëtar është në heshtje, sepse Arifi është në heshtje. Ai duket se është mjaft i shqetësuar me programin e Beogradit zyrtar për Kosovën fqinje sesa për shqiptarët e tij.
Fatit të shqiptarëve etnikë në Preshevë i takon njohja dhe mbështetja ndërkombëtare. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe individët e shqetësuar nga e gjithë bota duhet t’i denoncojnë veprimet e Serbisë dhe të kërkojnë drejtësi për popullsinë e margjinalizuar shqiptare në Preshevë, pasi duket se këtë ka vendosur të mos e bëjë i zgjedhuri i tyre.
Përballë fushatës së Serbisë për t’i shlyer shqiptarët etnikë të Preshevës, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar në denoncimin e veprimeve të tilla. Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve etnikë duhet të mbrohen dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet përballë regjimit shtypës të Serbisë.
Shqiprim Arifi ka një zgjedhje për të bërë: të vazhdojë të jetë bashkëpunëtor në asimilimin sistematik të popullsisë shqiptare etnike nga Serbia, ose të pranojë rolin e tij drejtues dhe të luftojë për çështjen e tyre. Banorët e Preshevës po vëzhgojnë dhe historia do t’i gjykojë veprimet e tij në përputhje me këtë. Koha për të vepruar është tani, sepse të drejtat dhe dinjiteti i shqiptarëve etnikë në Preshevë varen nga kjo./
Shqiprim Arifi ka një zgjedhje për të bërë: të vazhdojë të jetë bashkëpunëtor në asimilimin sistematik të popullsisë shqiptare etnike nga Serbia, ose të pranojë rolin e tij drejtues dhe të luftojë për çështjen e tyre. Banorët e Preshevës po vëzhgojnë dhe historia do t’i gjykojë veprimet e tij në përputhje me këtë. Koha për të vepruar është tani, sepse të drejtat dhe dinjiteti i shqiptarëve etnikë në Preshevë varen nga kjo./Vudi Xhymshiti – thefrontliner.uk/