Në një video-postim për qytetarët e Komunës së Preshevës, Kryetarja Adita Sinani ka bërë një bilanc të 100 ditëve të para në drejtimin e komunës, duke theksuar projekte dhe iniciativa që synojnë zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe kulturor të rajonit, si dhe përkushtimin ndaj transparencës dhe menaxhimit me duarë të pastra. Sinani e ka përshkruar këtë periudhë si një fazë të rëndësishme për vendosjen e themeleve të një qeverisjeje të re, e cila ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e mundësive për qytetarët, veçanërisht për brezin e ri.
Në mesazhin e saj, kryetarja Sinani ka theksuar se, pavarësisht sfidave të shumta, komuna ka arritur të realizojë një sërë projektesh, duke përfshirë hapjen e Zonës Industriale në Preshevë, një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit, që ofron mundësi të reja për investitorët dhe hapësira të favorshme për krijimin e vendeve të reja të punës. Kryetarja ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur gjithashtu konferencën ekonomike të dyta, që synon rritjen e bashkëpunimit me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe diasporën.
Një tjetër prioritet i Sinanit ka qenë zhvillimi i turizmit, duke krijuar mundësi për fëmijët e diasporës të vizitojnë atraksione natyrore si Shpella e Ilincës dhe Vrella e Miratocës, duke promovuar gjithashtu agroturizmin dhe turizmin malor. Ajo ka shprehur angazhimin e komunës për të mbështetur gjithashtu sportin dhe kulturën, me mbështetje për aktivitete sportive dhe organizimin e eventeve kulturore, që promovojnë trashëgiminë dhe identitetin kombëtar të Preshevës.
Në aspektin e arsimit, Sinani ka theksuar krijimin e mundësive të reja për fëmijët, si hapjen e grupit të ri edukativ në fshatin Zhunicë, duke siguruar mbështetje për arsimimin që nga mosha e hershme. Po ashtu, ajo ka përmendur edhe angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe ndihmën e vazhdueshme për zhvillimin e shkollave dhe institucioneve edukative.
Kryetarja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës për zhvillimin ekonomik të komunës, duke përmendur bashkëpunimin me “Fondin për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë” dhe Unioni për zhvillimin ekonomik, si dhe mbështetjen e diasporës në realizimin e projekteve investuese. Me mbështetjen e dy shteteve amë, Kosovës dhe Shqipërisë, Sinani ka përmendur ndihmën financiare të ofruar për vitin 2025, ku për herë të parë është parashikuar një mbështetje prej 4 milionë eurosh për Luginën.
Në përmbyllje të video-postimit, Sinani ka prezantuar një listë të projekteve që janë në proces, duke përfshirë ndërtimin e stadiumit të madh të qytetit, renovimin e shkollave dhe krijimin e kushteve për një infrastrukturë më të mirë. Ajo ka theksuar se këto 100 ditë janë vetëm fillimi i një periudhe të re zhvillimi dhe se do të vazhdojnë angazhimet për të realizuar edhe më shumë projekte të rëndësishme për qytetarët e Preshevës. Sinani ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke siguruar se do të mbeten të hapur dhe transparentë në çdo hap të administratës komunale.
Me një angazhim të palëkundur për zhvillimin e Preshevës, përkushtimi i Adita Sinanit dhe ekipi i saj është një garant i një të ardhmeje më të ndritur për këtë rajon dhe për qytetarët e tij./LUGINALAJMI/