-Foto ilustrim-
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Nevzad Lutfiu, ka reaguar lidhur me një shkrim të dërguar nga subjekti politik Alternativa për Ndryshim (APN) drejtuar Ministrisë për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social në Beograd. Në këtë shkresë, APN kërkon që ky institucion shtetëror të ndalojë konkursin për subvencionimin e bujqësisë për shqiptarët në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Lutfiu ka bërë të ditur se më datë 11 nëntor 2024, Alternativa për Ndryshim ka dërguar një kërkesë në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd, ku e informon këtë institucion për hapjen e konkursit nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) për subvencionimin e kulturave bujqësore, me mbështetje nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës.
Në reagimin, ai theksoi se, pas kësaj shkrese, Ministria e Drejtësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve ka kërkuar nga KKSH të japë një përgjigje brenda 8 ditësh, duke kërkuar shpjegim mbi dispozitat ligjore në të cilat mbështetet ky vendim. Ministria ka kërcënuar gjithashtu se, nëse KKSH nuk e anulon vendimin, ajo do ta bëjë vetë. Lutfiu, megjithatë, ka shprehur vendosmërinë se nuk do të anulojë asnjë vendim, pasi çdo veprim është ndërmarrë për të mbështetur bujqit shqiptarë, të cilët, sipas tij, mbijetojnë përmes këtij sektori.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se ky veprim i Alternativës për Ndryshim mund të dëmtojë shumë bujq shqiptarë që do të mbeten pa ndihmën e nevojshme. Lutfiu kritikoi gjithashtu hipokrizinë e APN, duke pohuar se disa nga përfaqësuesit e kësaj partie vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs.
Në fund, Lutfiu njoftoi se, nëse ky proces pengohet nga Ministria, do të kërkohet masa reciprociteti nga Qeveria e Kosovës./LUGINALAJMI/