Pas një sëmundje të gjatë, arsimtarja e njohur dhe e nderuar e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Fatime Sejdiu, ka ndërruar jetë dje në Prishtinë, duke lënë një boshllëk të pa përmbushur në fushën e arsimit. Ajo ishte një figurë kyçe për edukimin e shumë gjeneratave nxënësish në Bujanoc, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit në këtë komunë shqiptare.
Fatime Sejdiu, e njohur për përkushtimin e saj të palodhur si mësuese në shkollën fillore “Naim Frashëri” (ish “25 Maji”), ka formuar dhe edukuar nxënës të shumtë për shumë vite, duke lënë një ndikim të thellë në jetën e tyre. Ajo do të mbahet mend jo vetëm për punën e saj të palodhur si mësuese, por edhe për guximin dhe qëndresën e saj gjatë periudhës së vështirë të viteve 90, kur së bashku me bashkëshortin e saj, profesorin Raif Sejdiu, u përjashtuan nga sistemi arsimor i Serbisë si “persona të padëshiruar”.
Po ashtu, Fatime Sejdiu ishte një nënë e jashtëzakonshme, duke edukuar fëmijët e saj me vlera të larta intelektuale. Një nga fëmijët e saj, Prof. Dr. Lindita Sejdiu, është një emër i njohur në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, duke vazhduar trashëgiminë e saj në mësimdhënie.
Në nderim të kontributit të saj të çmuar, Shkolla “Naim Frashëri” në Bujanoc, ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e madhe, duke e cilësuar Fatimen një mësuese dhe figurë të paharruar për edukimin dhe zhvillimin e arsimit në Bujanoc:
“Me dhimbje të thellë, njoftojmë se ka ndërruar jetë profesorja e pensionuar e gjuhës shqipe, Prof. Fatime Sejdiu, bashkëshortja e Prof. Raif Sejdiut. Prof. Fatime Sejdiu ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin dhe edukimin e gjeneratave në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’ në Bujanoc, ku me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsim dhe kulturë.”
Varrimi i arsimtares Fatime Sejdiu do të bëhet sot, më 30 dhjetor 2024, në ora 12:00, në varrezat e qytetit të Gjilanit.
Shkolla “Naim Frashëri” dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar, shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të afërmit e Profesorës Fatime Sejdiu./LUGINALAJMI/