“Fronti për Ndryshim”, nëpërmjet një kumtese për opinionin, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës në Komunën e Bujanocit, duke theksuar se “humbja e privilegjeve të keqpërdorimeve të 22 viteve të kaluara ka krijuar një atmosferë tensioni dhe të papërmbajtur mes politikanëve të rinj”. Pas 100 ditëve të qeverisjes, Fronti për Ndryshim e akuzon qeverisjen e mëparshme për abuzime të mëdha me burimet dhe mjetet publike.
Kumtesa e këtij koalicioni qeverisës, është shumë kritike ndaj udhëheqësve të mëparshëm të Komunës së Bujanocit, duke theksuar se ata janë përgjegjës për shfrytëzimin e pushtetit dhe resurseve të komunës për interesa të ngushta personale dhe grupore. “Humbja e privilegjeve 22 vjeçare të keqpërdorimit të gjithçkaje mbi dheun e Bujanocit i shkaktoi një temperaturë në ngritje të pangopurve politik gjatë vetëm një 100 ditëshi,” thuhet në kumtesë, duke aluduar se ndryshimet e fundit kanë nxjerrë në pah abuzimet e mëparshme që kishin ndodhur në komunë.
Në kumtesë, Fronti për Ndryshim, veçmas ka shënjestruar, ish kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin i cili në 22 vitet e fundit, 14 vjet ka qenë kryetar i komunës dhe 4 vjet zëvendëskryetar i Bujanocut, duke e akuzuar ate dhe të tjerët për shpenzime të jashtëzakonshme me paratë e taksapaguesve. “Sa e sa centimetra asfaltë kanë gëlltitur, sa ura i kanë ndërtuar vetëm në letër, sa kocka i kanë shtruar në ajër, sa objekte pa kritere i kanë ndërtuar, sa mëditje pa meritë i kanë paguar, sa rakinë e kanë pirë dhe sa mishin e kanë shijuar me paratë e taksapaguesve,” theksohet në kumtesë. Ata akuzohen gjithashtu për krijimin e kushteve për punësime klienteliste dhe favorizim të të afërmve, ndërkohë që rinia ka ikur për shkak të kushteve të vështira dhe pleqtë kanë mbetur vetëm.
Fronti për Ndryshim është gjithashtu kritik ndaj personave që, sipas tyre, tani po flasin për patriotizëm, duke i quajtur “skenaristë dhe regjisorë të secilës përçarje” në Bujanoc dhe Luginë. “Ata që bënë bashkë SPS-in dhe radikalët e Sheshelit, tani flasin për patriotizëm, duke aluduar në ish kryetarin Nagip Arifi. Populli e di se si u zhvilluan pazaret dhe garat për pozita dhe funksione. Ata që tani po shesin patriotizëm janë të njohur për lidhjet e tyre të ngushta me regjimin e Millosheviçit,” thuhet më tej në kumtesën e “Frontit për Ndryshim”.
Në kumtesë, Fronti për Ndryshim ka përmendur gjithashtu disa figura politike të njohura, si Mira Markoviqi dhe Zoran Stankoviqi, duke kujtuar për lidhjet e tyre të ngushta me pushtetin e dikurshëm të Serbisë. “Ata që janë pasuruar me prona të luksit dhe uzurpuan pasuritë publike tani duan të krijojnë përshtypjen se kanë qenë gjithmonë mbështetje e kombit dhe flamurit kuqezi,” thuhet në komunikatë.
Kumtesa përfundon me një thirrje për ndryshime të thella, duke paralajmëruar se ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë pa një angazhim të sinqertë për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit të Bujanocit dhe të gjithë Luginës së Preshevës. Fronti për Ndryshim apelon për një qeverisje të përgjegjshme dhe të ndershme, e cila do të respektojë nevojat e popullit dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë./LUGINALAJMI/