Lidhur me ndalimin e qytetarëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës në pikëkalimet me Kosovën, ka reaguar edhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi, i cili ka thënë se: “Serbia ka filluar me masa represioni ndaj shqiptarëve”.
Ai veprmet e sotme, i ka vlerësuar si veprime të viteve të 90’ta në të cilin represioni ndaj shqiptarëve ishte tejet i lartë.
“Mirë se vini në të ,90-at. Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpaian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për “procesimin e gjithë atyre që cënojnë rendin kushtetues” – ka shkruar Kamberi.
Ai tutje ka thënë se: “Të rinjë shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim. Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë” – ka shkruar tutje Kamberi
Deputeti shqiptar, ka vlerësuar se Serbia, sot, po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cënon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkulimin e lirë”.
“Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve” – thuhet në postimin e Kamberit.
Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të Bashkimi Evropian dhe institucioneve tjera ndërkombëtare ndaj represionit të Serbisë karshi shqiptarëve./LUGINALAJMI/