Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti i vetëm shqiptar në beograd, Shaip Kamberi, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Sh.T. Edward Ferguson. Takimi u përqendrua kryesisht në çështje që lidhen me implementimin e “Planit 7 pikësh” dhe nevojën për të siguruar barazi për komunitetin shqiptar në Serbi.
Pas takimit, Kamberi ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale përmbajtjen e bisedës, duke theksuar se diskutuan për rëndësinë e implementimit të “Planit 7 pikësh”, i cili është një iniciativë kyçe për të siguruar të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Kamberi theksoi se njohja e diplomave, ndalimi i pasivizimit selektiv dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore janë parakushte të domosdoshme për ndërtimin e barazisë mes komuniteteve.
“Njohja e diplomave dhe ndalimi i pasivizimit selektiv janë çështje kyçe që duhen adresuar për të krijuar mundësi të barabarta për shqiptarët. Po ashtu, integrimi i plotë i komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë” – shkroi Kamberi në postimin e tij në Facebook.
Kamberi gjithashtu diskutoi me Ambasadorin Ferguson për rëndësinë e përfshirjes së përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në takimet e ambasadorëve të formatit “Miqt e Jugut”. Ai kërkoi që përfaqësuesve shqiptarë të sigurohet pjesëmarrja në takimin e ardhshëm të këtij formati, si një hap për të forcuar prezencën dhe angazhimin e shqiptarëve në proceset politike të rajonit.
Në përfundim të takimit, Kamberi theksoi se vazhdimi i prezencës së ndërkombëtarëve në Luginën e Preshevës është thelbësor për realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për përparimin e procesit të integrimit të plotë të këtij komuniteti në jetën shoqërore dhe politike të Serbisë./LUGINALAJMI/