Për herë të parë pas 12 vjetësh të eksistencës së saj, platforma më e guximshme informative në Luginën e Preshevës, LUGINALAJMI, është refuzuar nga Komuna e Bujanocit. Vendimi, i miratuar dje nga Këshilli Komunal i Bujanocit, u propozua nga Komisioni i Vlerësimit të Projekteve në Fushën e Informimit, dhe ka shkaktuar reagime të shumta, duke theksuar se ky është refuzimi i parë i një platforme të njohur dhe me ndikim të konsiderueshëm në rajon.
Pavarësisht kontributit të LUGINALAJMI-t për më shumë se një dekadë, duke realizuar mbi 100 projekte në fushën e informimit dhe të organizimeve të debateve, tribunave dhe konferenca të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, komisioni ka vendosur të mos mbështesë financiarisht portalin tonë. Ky vendim është ngritur si një akt i padrejtë nga qeverisja lokale dhe si një reflektim i mungesës së vlerësimit për punën e LUGINALAJMI-t, e cila ka kontribuar ndjeshëm në informimin dhe avancimin e çështjeve që prekin komunitetin shqiptar në këtë rajon.
Një prej anëtarëve të Komisionit ka shprehur admirimin për projektet e LUGINALAJMI-t, por kjo nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimin për ta refuzuar. Ky fakt ka ngritur dyshime se ky refuzim është një vendim i dirigjiuar nga pushteti lokal, dhe jo nga një analizë objektive e punës së portalit, ku sipas vendimit të djeshëm, 2.6 milionë dinarë u ndanë për dy portale dhe dy televizione, përkatësisht për portalet Bujanovacke (serbe – 800.000 dinarë) dhe FolOnline (shqiptar – me 800.000 dinarë), si dhe për televizione Spektri (shqiptar – 500.000 dinarë) dhe RTV Bujanoci (serb me 500.000 dinarë).
Kujtojmë që LUGINALAJMI ndër vite ka marrë mbështetje nga dhjetra donatorë dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE, NDI, Peace Fullchange Initiative, NKD, Ministrisë së Kulturës dhe Informimit, Ministrisë për pakica dhe të drejta të njeriut, Ministrisë për Diasporë, Komunës së Medvegjës, Komunës së Surdulicës, Komunës së Preshevës, Trupi Koordinues, Këshilli Kombëtar Shqiptar, si dhe Qeveria e republikës së Kosovës, duke e bërë këtë vendim më të papranueshëm për ata që e kanë mbështetur dhe vlerësuar punën tonë për më shumë se një dekadë.
Ky refuzim është një hap që nxjerr në pah shqetësimet lidhur me transparencën dhe objektivitetin në ndarjen e mbështetjeve financiare për mediat në rajon, dhe mund të ketë pasoja të thella për zhvillimin e mëtejshëm të lirisë së medias dhe informimit të qytetarëve në Luginën e Preshevës./LUGINALAJMI/