24 vite më parë forcat serbe vranë mizorisht dy vëllezërit Isa dhe Shaip Saqipi nga Dobrosini. Vëllezërit Saqipi ishin djem të urtë, të sinqertë, punëtor dhe shumë të respektuar kudo. Vrasja e tyre vetëm sa e bëri më të fortë rezistencën e shqiptarëve duke u mobilizuar rreth UÇPMB-së. Vëllezërit Saqipi tani janë legjenda të gjalla, sepse për ta flitet e këndohet kudo, ata janë thjeshtë historia e kësaj ane shqiptare.
Samire Saqipi është vajza e Isa Saqipit dhe ajo jo vetëm në këtë përvjetor, por gjatë gjithë kohës i përkujton me shumë mall e dashuri mungesën e babait dhe xhaxhait të saj.
“Unë gjithmonë jam me ata, gjithmonë jam me veprat e tyre të mira që na kanë lënë. Ata janë të pavdekshëm dhe do të kujtohen e nderohen sa të ekzistojë historia shqiptare. Jam krenare që jam bija e dëshmorit dhe kurrë nuk do të ndalem duke promovuar këtë histori sa të dhimbshme aq edhe krenare” shprehet Samirja.
Një dedikim prekës edhe për këtë përvjetor nga Samire Saqipi.
Se ç’më dogji malli për sytë e tu të bukur,
se ç’më dogji malli për zërin tënd të bukur.
Sa shumë mërzi të madhe kam në zemrën time, sa shumë njerëz të bukur mungojnë në jetën time.
26 Janari viti 2000 a thua vallë a do të harrohet ndonjëherë jo, jo mbase në këtë datë m’u vodh lumturia.
Ehh bre Bushi jem, po lulëzoje bashkë me jetën, me gruan dhe me ne fëmijët.
Ishim një familje e madhe dhe e lumtur.
Bushi, Xhaxhi dhe në këto çaste të këtij përvjetori, është hapur kaptina e re e mallit.
E ndjejë se vuaj shumë.
Vdekja juaj akoma është e ftohtë.
Ah si nuk jeni me ne, tani që nuk jeni mos më thuani të mos qaj se kam shumë nevojë për ju…
Bush Të them edhe këtë, dhe dije se unë jam Krenare që jam bija jote…!
Bushi, Xhaxhi ..
/Rajonipress/