Sot, në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, u shënua Dita Botërore Kundër AIDS-it, një ngjarje e rëndësishme për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin mbi parandalimin e HIV/AIDS. Në kuadër të këtij aktiviteti, u mbajt një ligjeratë informuese për rëndësinë e mbrojtjes kundër infeksionit dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Ligjeratën e drejtuan katër profesionistë të fushës shëndetësore: dr. Danijela Dençiq, pediatre; dr. Nerxhane Isufu, doktoreshë e përgjithshme; Jellena Velkoviq, motër medicinale dhe Natalija Popoviq, motër medicinale. Ata theksuan rëndësinë e edukatës për të rinjtë, duke pasur parasysh që ata janë grupi më i rrezikuar për infeksion.
Në aktivitet ishin të pranishëm nxënësit e shkollës teknike “Sveti Sava” në Bujanoc, drejtimi i mjekësisë, të cilët dëgjuan me vëmendje ligjeratën dhe morën informacion të vlefshëm për parandalimin e AIDS-it. Munguan nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi”, të cilët nuk morën pjesë në këtë ngjarje.
Ky aktivitet ishte një bashkëpunim i Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc me shkollën e mesme teknike “Sveti Sava”, dhe synonte që të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes nga AIDS-i, duke u fokusuar tek brezi i ri, i cili është më i ekspozuar ndaj këtij rreziku./LUGINALAJMI/