Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Në një njoftim për shtyp, MEPJ shprehet se ky akt përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave, pasi privon shqiptarët në këtë rajon nga qasja në shërbime thelbësore dhe nga mundësia e ushtrimit të të drejtave të tyre themelore.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjek me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë. Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore. Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre. Ministria ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”, thuhet në qëndrimin zyrtar të MEPJ.
Kujtojmë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një proces administrativ që ka ndodhur kryesisht në disa zona të kësaj treve, ku shumë shqiptarë janë fshirë nga regjistrat e adresave dhe të dhënat administrative të Serbisë. Ky veprim ka pasur pasoja të rënda për shqiptarët, duke i privuar ata nga mundësia për të shfrytëzuar shërbime dhe të drejta themelore si arsim, shëndetësi, dhe pensione, si dhe nga mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre qytetare./sot.com.al/