Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka nënshkruar kontrata me përfituesit e konkursit për efiçencë energjetike. Ky projekt, i cili është një vazhdim i iniciativës që filloi në vitin 2022, ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës përmes investimeve në energji të rinovueshme dhe kursim energjie.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja Sinani theksoi rëndësinë e këtij projekti duke thënë se janë përfshirë gjithsej 77 përfitues, të cilët do të marrin një grant prej 16.5 milionë dinarësh. Kjo shumë do të përdoret për përmirësimin e kushteve të shtëpive të tyre, duke përfshirë izolimin e mureve dhe kulmeve, ndërrimin e dritareve, si dhe instalimin e sistemeve të ngrohjes dhe paneleve solare për prodhimin e energjisë elektrike.
“Kjo është një mundësi për të kursyer për familjet tona, për të mbrojtur mjedisin dhe për të reduktuar ndotjen që na prek të gjithëve,” shkruan Sinani, duke falënderuar përfituesit dhe bashkëpunëtorët për angazhimin e tyre në këtë projekt të rëndësishëm.
Kjo nismë ka si qëllim të krijojë një Preshevë më të pastër dhe më efikase energjetikisht, duke kontribuar në përpjekjet globale për zvogëlimin e ndotjes dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Komunës së Preshevës./LUGINALAJMI/