Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore.
Bislimi ka mbështetur protestën e mbajtur sot nga shqiptarët në Bujanoc, duke thënë se kërkesat e tyre janë legjitime, transmeton Telegrafi.
“Kërkesat e tyre për “respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore” janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka thënë ai.
Tutje, Bislimi ka shtuar se “zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”.
Ndryshe, sot kanë protestuar shqiptarët në Bujanoc. Protesta ka përfunduar me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës i kërkohet autoriteteve në Beograd të ndalojnë shtypjen e shqiptarëve./Telegrafi/