Me propozim të Ministrisë për Investime publike, Qeveria e Republikës së Serbisë është pajtuar që të mbështes financimin e renovimit të shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan në vlerë prej 90 milionë dinarëve (rreth 765 mijë eurove).
Lajmin e ka bërë të ditur, Komuna e Bujanocit përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
“Qeveria e Republikës së Serbisë ka marrë përsipër që ta financojë renovimin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, i cili ka pranuar sot zyrtarisht konkluzionin e Qeverisë për sigurimin e mjeteve financiare. Vlera e përgjithshme që Qeveria e Republikës së Serbisë ka ndarë për renovimin e shkollës në Lluçan është 90 milionë dinarë pa TVSh” – thuhet në njoftimin e Komunës së Bujanocit.
Ndryshe, ditë më parë, Komuna e Bujanocit ka pranuar në xhirollogarinë e saj edhe 550 mijë euro nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e sallës së sporteve në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc./LUGINALAJMI/