Gjykata për kundërvajtje në Vranjë ka ftuar drejtorin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në Konçul, Qemajl Beqiri, lidhur me organizimin e një ceremonie përkujtimore për ushtarin e rënë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Kjo ka shkaktuar një reagim të ashpër nga Ragmi Mustafi, kryetar i Degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, i cili ka theksuar se çdo përpjekje për të përshkruar UÇPMB-në si “organizatë terroriste” është një deformim i historisë dhe një shfaqje e mentalitetit shtypës që mohon të vërtetën dhe drejtësinë.
Në një postim të tij, Mustafi ka theksuar se përkujtimi i dëshmorëve të UÇPMB-së, siç ishte ceremonia e fundit në nderim të dëshmorit Vebi Rexhepi, është një akt nderimi për ata që dhanë jetën për lirinë e Luginës. Ai ka nënvizuar se Ligji për amnistinë i vitit 2001, i miratuar nga vetë Serbia, ka amnistuar çdo veprim të lidhur me UÇPMB-në dhe ka përjashtuar mundësinë për t’i cilësuar si “terroristë.” Sipas Mustafit, çdo përpjekje për të përmbysur këtë realitet është e paligjshme dhe një hap mbrapa.
“Ky rast nuk është i izoluar,” thotë Mustafi, duke theksuar se ky është vetëm një pjesë e një skenari më të gjerë që përpiqet të kriminalizojë identitetin shqiptar dhe të fshijë kujtesën historike të popullit të Luginës së Preshevës. Ai ka paralajmëruar se këto përpjekje janë pjesë e një strategjie për të pasivizuar shqiptarët dhe për të mohuar dinjitetin e tyre.
Mustafi ka bërë thirrje për të ruajtur kujtesën historike dhe dinjitetin e popullit shqiptar, duke theksuar se kujtimi i UÇPMB-së është një shprehje e të drejtës për të mos harruar dhe për të kërkuar respekt. “Nëse UÇPMB ka qenë një organizatë terroriste, atëherë edhe unë jam terrorist dhe çdo shqiptar i Luginës,” përfundon Mustafi, duke e quajtur këtë një sulm ndaj identitetit dhe historisë të popullit shqiptar./LUGINALAJMI/