Kryetari i Kuvendit komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës për kundërvajtje në Vranjë ndaj drejtorit të shkollës fillore në Konçul, Qemajl Beqiri, lidhur me ceremoninë përkujtimore të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
Në një postim në Facebook, Rexhepi ka theksuar se “stigmatizimi e deri te inkriminimi i të kaluarës së lavdishme të popujve, sidomos në vendet me ndjeshmëri specifike si Bujanoc, e në Luginë në përgjithsi, është i papranueshëm dhe si i tillë duhet gjykuar nga të gjitha palët!”
Ai ka kërkuar që rasti i shkollës “Sami Frashëri” në Konçul të mbyllet urgjentisht nga organet ligjzbatuese, në përputhje me aktin e amnistisë së përgjithshme, dhe ka theksuar se ky hap do të kontribuonte në ruajtjen e paqes dhe sigurisë juridike në përgjithësi. Rexhepi ka nënvizuar se siguria juridike është një parakusht i domosdoshëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/