Këshilltari komunal në Bujanoc nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Rahim Salihi, ka kritikuar ashpër veprimet e fundit të kryetarit të komunës, Arbër Pajaziti, lidhur me kërkesat për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Në një postim të tij në Facebook, Salihi vuri në dukje kontradiktat mes kërkesave të Pajazitit për mbështetje ndërkombëtare dhe koalicionit të tij qeverisës në Bujanoc, që përfshin partitë politike të mbështetura nga qeveria e Beogradit.
Salihi shprehu shqetësimin se Pajaziti ka kërkuar “përkushtim më të madh të përfaqësive diplomatike të BE-së në Serbi” për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërkohë që, sipas tij, ai ka formuar një koalicion pa kushte për realizimin e këtyre të drejtave, duke përfshirë partinë SNS, e cila është pjesë e qeverisë që, sipas Salihit, ajo vet diskriminon dhe shkel të drejtat elementare të shqiptarëve, e cila udhëheq me qeverinë qëndrore në Beograd.
“Është manipulim klasik dhe ironi politike të kërkosh mbështetje ndërkombëtare për të drejtat e shqiptarëve, kur në nivel lokal formon koalicion pa asnjë kusht për realizimin e këtyre të drejtave,” shkruan Salihi në postimin e tij, duke theksuar se është e papranueshme që të kërkohen ndërhyrje nga partnerët ndërkombëtarë kur nuk ka angazhim konkret për të drejtat e shqiptarëve në nivelin lokal./LUGINALAJMI/