Këshilltari nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik në Asamblenë e Bujanocit, Rahim Salihi, ka kritikuar sot qeverisjen lokale të Bujanocit për vendimet e fundit të aprovuara në mbledhjen e Këshillit komunal në lidhje me rishikimin e buxhetit për vitin aktual.
Sipas Salihit, udhëheqësia e komunës së Bujanocit, duhet të njoftojë opinionin e gjerë se çka në fakt përmbanë rishikimi i buxhetit.
“Nga 15 milionë dinarë të planifikuara për subvencionimin e biznesit për këtë vit, me rishikimin e buxhetit janë ndarë vetëm 1.000 dinarë. Pra, nga 128 mijë euro që ishin dedikuar për biznesin lokal, koalicioni i tanishëm ka lënë vetëm 8.5 euro. Po, mirë e keni lexuar, tetë euro e pesëdhjet cent është shuma që ka mbetur për të subvencionuar biznesin e vogël në Bujanoc.
Ngjajshëm ka ndodhur edhe me bujqësinë.
Ai tutje, ka kritikuar edhe shkurtimin e pozicionit për subvencionimin e bujqësisë.
“Nga 9 milion dinarë apo 77 mijë euro të parapara për t’ju ndarë bujqëve, Komuna e Bujanocit ka lënë vetëm 1 milion dinarë apo 8.500 euro” – ka shkruar Salihi.
Për më shumë, Rahim Salihi ka kritikuar qeverisjen e Bujanocit se: “Buxheti i shumicës së re ka përgjysmuar edhe përkrahjen finansiare për sport e media, ndërsa nuk dihet se çka ka ndodhur me mjetet për OJQ-të dhe Shoqatat kulturoro – artistike. Ky rishikim i buxhetit dëshmon qartë mungesën e vizionit për të udhëhequr me Bujanocin” – thuhet në fund të postimit të këshilltarit Rahim Salihit.
Ndryshe, sot Këshilli komunal i Komunës ë Bujanocit, i ka dhënë “dritën” jeshile rishikimit të buxhetit për aprovim në Kuvendin komunal të Bujanocit, nga ku, për shkak të gjendjes jo të mirë financiare, janë shkurtuar linia buxhetore, respektivisht kanë ndryshuar pozicionet e financimit./LUGINALAJMI/