Në prag të “28 nëntorit – Ditës së flamurit kombëtar”, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin republikan në Beograd, Shaip Kamberi, ka bërë një thirrje për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës për të shënuar ditën e flamurit, pavarësisht ndalesave ligjore të vendosura nga Serbia mbi përdorimin e flamurit kombëtar.
Në një postim emocionues, Kamberi ka apeluar për një reagim të fuqishëm qytetar, duke ftuar çdo familje shqiptare në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë të vendosë flamurin kuq e zi në shtëpitë e tyre më 28 nëntor, duke dërguar një mesazh të fortë të unitetit dhe krenarisë kombëtare.
“Flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë; ai është simbol i identitetit dhe historisë sonë kombëtare. Ai është flamuri i të gjithëve, dhe për të, duhet të reagojmë të gjithë,” tha Kamberi.
Serbia është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që, me ligj, ndalon përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave, përfshirë flamurin shqiptar. Ky ligj ka krijuar një ambient të paprecedentë, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës ndalohen të përdorin një simbol kaq të shenjtë për identitetin e tyre. Kamberi theksoi se Serbia është i vetmi shtet në rajon që, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërhyn në lirinë e përdorimit të simboleve kombëtare, ndërkohë që shtetet e tjera, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, e lejojnë përdorimin e flamujve kombëtarë të pakicave.
Kamberi ka theksuar se ky ligj është një veprim diskriminues, që shkel të drejtat e shqiptarëve dhe synon të fshijë identitetin e tyre kombëtar. Ai ka sjellë shembuj nga e kaluara, duke përmendur rastet kur shqiptarët janë ndjekur dhe dënuar, madje edhe vetëm për vendosjen e flamurit shqiptar në institucione, siç ka ndodhur me ish-kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Në mesazhin e tij, deputeti Kamberi ka ftuar çdo qytetar shqiptar që të përgjigjet me vendosmëri dhe dinjitet ndaj këtij akti të shtypjes. “Përveç aktiviteteve kulturore, le të bëhemi dëshmitarë të një akti qytetar të bashkimit. Të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, më 28 nëntor, të vendosin flamurin kuq e zi në çdo shtëpi, si një akt të papërkulur të identitetit dhe të drejtës për të shprehur krenarinë kombëtare,” u shpreh Kamberi.
Flamuri, sipas Kamberit, nuk është vetëm një simbol i përkatësisë politike, por një shenjë e pandashme e identitetit kombëtar të shqiptarëve, që ka mbijetuar për shekuj me radhë. Kjo thirrje vjen si një apel për të mbajtur gjallë frymën e rezistencës dhe unitetit, dhe për të treguar se, pavarësisht ndalesave ligjore, shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë nga simbolet e tyre kombëtare./LUGINALAJMI/