Në sheshin Skënderbeu, emërtim të cilin nuk e pranoi Qeveria e Serbisë, në mënyrë të qetë kanë protestuar qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës, për “Dinjitet dhe Indetitet” në Serbi.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti është paraqitur deputeti shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, Shaip Kamberi, i cili ndër të tjera tha:
“Qeveria në Beograd, këtu në Luginë të Preshevës, po shkelë rëndë vlerat më elementare të Bashkimit Evropian: paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejat e pakicave, drejtësinë, barazinë para ligjit, sundimin e të drejtës. Po shkelë fundamentet e vetë Bashkimit Evropian edhe atë në sytë e Bashkimit Evropian dhe gjithë Bashkësisë ndërkombëtare që ishin ndërmjetësit dhe garantuesit e tri marrëveshjeve të nënshkruara (2001, 2009 dhe 2013)”.
Në mbështetje të protestës së sotme, ishte edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka shkruar se po ngrisin zërin për të drejtat e mohuara.
“Për marrëveshjet e paimplementuara. Për pasivizimin selektiv të adresave. Për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Duke dëshmuar kështu mosnënshtrimin tonë, kundër shtypjes, shkeljes e diskriminimit. Për të dëshmuar qëndresën tonë”, ka shkruar ajo.
Ndëkrohë, ditë më parë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar- KKSH, Nevzad Lutfiu, ka theksuar se protesta e nesërme në Bujanoc është e orientuar kundër Qeverisë së Serbisë dhe diskriminimit që po na bëhet në kontinuitet e i cili po shkon duke u thelluar.