Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, pati një takim konstruktiv me Ministren e Vetëadministrimit Lokal, Jellena Zhariq Kovaçeviq, ku u diskutuan disa nga çështjet më të rëndësishme për funksionimin efikas të komunës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Në fokus të bisedimeve ishte pasivizimi i adresave dhe ndikimi i tij në regjistrin e votuesve, një problem që kërkon trajtim të menjëhershëm për të garantuar një përfaqësim të drejtë në proceset zgjedhore. Kryetarja Sinani theksoi se kjo çështje është e një rëndësie të madhe për demokratizimin e procesit zgjedhor dhe për të siguruar të drejtat e qytetarëve.
Një tjetër temë kyçe ishte zbatimi i Planit 7-pikësh për integrimin e shqiptarëve në institucionet qendrore, ku kryetarja Sinani, kërkoi veprim të menjëhershëm për të siguruar përfaqësim të barabartë dhe masat konkrete që do të mundësojnë integrimin e plotë të pakicës shqiptare në institucionet shtetërore.
Po ashtu, në takim nga kryetarja e Preshevës, u kërkua mbështetje për projekte infrastrukturore të rëndësishme dhe alokim fondesh të rregullta nga shteti dhe Trupi Koordinues, për përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin afatgjatë të Preshevës. Kryetarja Sinani theksoi nevojën për mbështetje shtesë për zhvillimin e infrastrukturës edukative dhe kulturore, duke kërkuar investime në ndërtimin e çerdheve, shkollave dhe institucioneve kulturore.
Një tjetër prioritet i ngritur nga kryetarja Sinani ishte sigurimi i punësimeve të qëndrueshme dhe të përhershme në administratën lokale, për të garantuar një administratë stabile dhe efikase. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve publike, si një hap i domosdoshëm për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të administratës.
Në fund, Sinani kërkoi mbështetje për fuqizimin e shoqërisë civile dhe aktivitetet sportive, që janë thelbësore për zhvillimin e komunitetit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e Preshevës.
Bashkëpunimi i ngushtë me Ministrinë e Vetëadministrimit Lokal u vlerësua si një element kyç për të realizuar këto objektiva dhe për të sjellë përmirësime të prekshme dhe konkrete në jetën e qytetarëve të Preshevës./LUGINALAJMI/