Çështja e zgjidhjes së përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar tëpakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë mund tëzgjidhet nëpërmjet dialogut shoqëror për zbatimin e Planit Shtatëpikësh (7PP) midis qeverisë republikane dhe përfaqësuesve politik shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Ky ishte përfundim i përgjithshëm i diskutimeve nëtribunën ‘Përdorimi zyrtar i gjuhës, shkrimit dhe simboleve të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë’, tëorganizuar në Bujanoc nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
“Paradoksi është mosharmonizimi i Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare. Përderisa neni 79 i Kushtetutës për të drejtën e ruajtjes së veçorive i garanton pjesëtarëve të pakicave kombëtare të drejtën e përdorimit të simboleve të tyre në vende publike, neni 16, par. 2 i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare e ndalon përdorimin e simboleve kombëtare nëse ato janë identike me simbolet e një shteti tjetër”, deklaroi në cilësinë e panelistit Driton Bilalli, Sekretar iKëshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Republikën e Serbisë, duke përmendur nismën parlamentare tëdeputetit Shaip Kamberi, që propozoi plotësimin-ndryshimin e këtij ligji.
Duke e konsideruar si flamur ‘kombëtar’ dhe jo ‘shtetëror’, si në hapësirat e tjera të rajonit edhe në Serbi, shqiptarët përdorin për simbol të tyre flamurin që është edhe flamuri zyrtar i Republikës së Shqipërisë. Ndërsa sipas Ligjit për pamjen, përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, vendosja e stemës ose flamurit të një shteti të huaj në Serbi është e dënueshme përderisa nuk shoqërohet me vendosjen e stemës ose flamurit të Republikës së Serbisë, përveç rasteve kur është rënë dakord ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare. Për këtë shkelje parashikohet gjobë prej 50 deri në 500 mijë dinarë për personat juridikë (nga 427 deri në 4270 euro).
Sipas Alban Alilit, zyrtar në Këshillin Kombetar Shqiptar, ndonëse kjo çështje trajtohet nga shteti si shkelje ligjore, çështja e përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi është realisht problem që kërkon zgjidhje politike.
Sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, nuk ka probleme me ligjin në fuqi, por më shumë me zbatimin e tij. Gjuha shqipe është legalizuar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si gjuhë zyrtare më 2002 me statutet e tyre komunale, nëpërmjet Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit i cili parashikon që në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku tradicionalisht jetojnë pjesëtarët e pakicave kombëtare, gjuha dhe shkrimi i tyre duhet të jenë në përdorim zyrtar nëse përbëjnë më shumë se 15% të popullsisë së përgjithshme të vendit.
Duke iu referuar një hulumtimit të vitit 2021, panelisti, Kastriot Jakupi, Kryeshef i shërbimeve të përgjithshme në administratën komunale të Bujanocit, theksoi se përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në institucione lokale është në nivel të kenaqshëm. “Zbatimi po ngec më shumë në institucionet me kompetenca republikane. Përderisa ka përparim në përdorimin e dygjuhësisë në Gjykatën Themelore në Bujanoc, ka ende ngecje në polici, kadastër etj”, ka thënë ai.
Refik Shemsedini, Kryeshef në administratën komunale tëBujanocit, theksoi se megjithë hartimin e një katalogu me emra shqip nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, duhet ende të punohet lidhur me deformimin e emrave sipas alfabetit të gjuhës shqipe.Nga ana e tij, Ndihmës-drejtori i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Bujar Mustafa, shpjegoi sesi moszbatimi i gjuhës shqipe po ndikon negativisht edhe në fushën e arsimit, ngase sipas tij, planet, programet dhe trajnimet që po vijnë vetëm në gjuhën serbe po e vështirësojnë mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor për administratën, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollave në gjuhën shqipe.
Pjesëmarrësit u pajtuan se duhen dinamizuar politikat publike për fuqizimin e kapaciteteve të mekanizmave institucional për zbatimin në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhës dhe shkrimit do të mundësonte tejkalimin e problemeve ende ekzistuese në përdorimin e gjuhës dhe shkrimit shqip në territorin e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës
Tribuna ‘Përdorimi zyrtar i gjuhës, shkrimit dhe simboleve tëpakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë’ është organizuar në kuadër të projektit “Serbia e jugut – Sundimi i ligjit për të gjithë”, të cilin po e implementon Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund.