“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës po kanë qasje ende vetëm si pacientë në shëndetësinë e nivelit sekondar dhe terciar në Republikën e Serbisë. Përpos meje që jam i angazhuar në Spitalin Special të Surdulicës me dy ditë pune në javë, nuk ka shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që punojnë në institucione sekundare, në Vranjë ose Leskoc, meqë dy mjeke të tjera shqiptare punojnë në Vranjë në Shtëpi të Shëndetit si institucion i shëndetësisë primare”. Kështu deklaroi dr.Bekim Arifi, Specialist i Otorinolaringologjisë në Bujanoc dhe kryetar i Shoqatës “Mjekët e Luginës”, në tribunën ‘Mbrojtja shëndetësore dhe sociale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë’, të organizuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
Rregullorja për planin e rrjetit të institucioneve shëndetësore të Republikës së Serbisë parasheh Shtëpitë e Shëndetit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si kujdes primar shëndetësor. Si institucione të nivelit dytësor dhe terciar: Qendra Shëndetësore në Vranjë e cila përfshin komunën e Preshevës dhe Bujanocit, Qendra Shëndetësore në Leskoc për komunën e Medvegjës, Spitali Special Rehabilitues ‘Gejzer’ në Banjë të Sijarinës (Medvegjë) dhe Spitali Special Rehabilitues në Banjë të Bujanocit.
Nga ana e tij, dr.Menderez Aliu, Specialist i Gjinekologjisë në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, shprehu bindjen se hapja e një spitali të ri publik në Bujanoc ose Preshevë do t’i jepte qasje më lehtë dhe më shumë pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në shëndetësi sekondare.
Diskutuesit ngritën po ashtu çështjen e mungesës së kuadrove shqiptare në pozitat udhëheqëse dhe ekzekutive të institucioneve primare shëndetësore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; sidomos pas vendimit për marrjen e të drejtave të themeluesve të qendrave shëndetësore në Republikën e Serbisë, ku Ministria e Shëndetësisë ka rimarrë kompetencat mbi Shtëpitë e Shëndetit edhe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilat ushtroheshin nga vetëqeverisjet lokale.
Nga ana e tyre, drejtorët e Qendrave Sociale në Preshevë dhe Bujanoc, Shenur Jahiu dhe Leon Mehmeti, ngritën nevojën e investimeve në kapacitetet e qëndrimit ditor për fëmijët me nevoja të veçanta.
Tribuna “Mbrojtja shëndetësore dhe sociale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, është organizuar në kuadër të projektit “Serbia e jugut – Sundimi i ligjit për të gjithë”, të cilin po e implementon Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund.