Kryetarja e Kuvendit Republikan, Ana Bërnabiq, ka shpallur zyrtarisht zgjedhjet për këshilltarë në komunat dhe qytetet e Serbisë. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 2 qershor në 66 njësi të vetëqeverisjes lokale, gjashtë prej të cilave në jug.
Me faktin se Kuvendi Popullor me shumicë prej dy të tretash i miratoi Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, janë plotësuar kushtet që ato të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet në Beograd.
Bërnabiq thotë se fakti që zgjedhjet janë caktuar për 2 qershor është rezultat i një dialogu të suksesshëm mes partive parlamentare.
“Më vjen mirë që kemi dërguar një mesazh të fortë nga parlamenti për të gjithë qytetarët tanë, se si përfaqësues të zgjedhur të tyre, jemi të aftë të bisedojmë dhe të arrijmë një marrëveshje pavarësisht nga të gjitha dallimet tona. Siç e thashë pas marrëveshjes së arritur për datën e zgjedhjeve, një marrëveshje të tillë e konsideroj fitore për të gjithë njerëzit e përgjegjshëm” – thekson ajo.
Ajo u bën thirrje aktorëve politikë të kenë “kujdesin” dhe të mos e përdorin politikën si “vegël që ndan njerëzit”.
Si kryetare e Kuvendit, do të vazhdoj të insistoj që organi më i madh përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë të respektojë dhe promovojë pikërisht këto vlera. I uroj të gjithëve zgjedhje të suksesshme – tha ajo.
Në jug të Serbisë, zgjedhjet lokale do të mbahen në Nish, si dhe në komunat Aleksinac, Svrljig, Bosilegrad, Bujanoc, Preshevë dhe Surdulicë./LUGINALAJMI/