Një grup përfaqësuesish të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës, janë pritur sot në takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin kanë biseduar për gjendjen aktuale të informimit shqip në Luginë të Preshevës, si dhe për sfidat më të cilat po përballen mediat shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Është zëvendëskryeministri i parë kosovar, Besnik Bislimi i cili pas takimit me gazetarët nga Lugina, ka premtuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për bashkëkombasit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për ruajtjen e indentit, kulturës, traditave dhe gjuhës shqipe.
“Me përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës, biseduam për zhvillimin e informimit shqip në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe sfidat me të cilat përballen mediat e qytetarët atje.
U njoftova më së afërmi me fushëveprimtarinë e tyre, për të cilën dhe shprehën shqetësime serioze në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe, në veçanti, ndaj mediave shqipe në Luginë.
Shpreha përkushtimin e palëkundur të Qeverisë, për të kontribuar pozitivisht dhe mbështetur bashkatdhetarët tanë në Luginë, në ruajtjen e identitetit, kulturës, traditave e gjuhës” – ka shkruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi./LUGINALAJMI/