Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shënua me atmosferë festive në sheshet e Bujanocit dhe Preshevës.
Në Bujanoc, organizata “BeYond” në bashkëpunim me Komunën organizoi një program të larmishëm me këngë, recitime dhe personazhe të dashur për fëmijët. “Sot, sheshi u mbush me gëzim e ngjyra – një traditë që tashmë e kemi kthyer në ditën më të dashur për fëmijët,” shkruan BeYond në rrjetet sociale.
Kryetari i komunës, Arbër Pajaziti, theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj brezit të ri: “Fëmijët janë ardhmëria jonë. Secili prej tyre meriton dashuri, edukim cilësor dhe mundësi të barabarta.”
Edhe në Preshevë u zhvilluan aktivitete festive për më të vegjlit. Kryetarja Ardita Sinani shkroi: “Fëmijët janë frymëzimi ynë i përditshëm. 1 Qershori është ditë ngjyrash, shprese dhe përgjegjësie.”
Të dyja komunat theksuan se kjo ditë është më shumë se festë – është një angazhim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët./LUGINALAJMI/