Të mërkurën, më 23 prill, në fshatin Tërnoc të Komunës së Bujanocit u shënua 26-vjetori i një prej ngjarjeve më të rënda në historinë moderne të këtij vendbanimi – rrethimit dhe bastisjes së 23 prillit 1999 nga ushtria jugosllave e asaj kohe.
Saktësisht më 23 prill 1999, që atëherë ishte ditë e premte, forcat ushtarake jugosllave ndërmorën një bastisje masive fillimisht në pjesët shqiptare të qytetit të Bujanocit, ku rrugët u rrethuan nga forca të mëdha të ushtrisë. Menjëherë pas kësaj, i gjithë fshati Tërnoc u rrethua me tanke, ndërsa banorët – burra, gra, fëmijë dhe pleq – u detyruan të lëshojnë shtëpitë dhe të grumbullohen në vendin e quajtur “Te Zidi”.
Në përkujtim të kësaj dite të dhimbshme, dhjetëra banorë të Tërnocit janë mbledhur dje pikërisht në atë vend, ku tashmë qëndron një pllakë përkujtimore, për të nderuar kujtesën dhe për të riafirmuar qëndresën.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit, Mustafa Alishani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka kujtuar ato momente të vështira:
“26 vite më parë, Tërnoci dhe banorët e vendbanimit tonë u ballafaquan me një terror të paparë që për qëllim pati zbrazjen dhe dëbimin e qytetarëve tonë nga trevat tona shekullore. Fëmijë, pleq, gra dhe burra, pa dallim, ishin grumbulluar në këtë vend, si pasojë e urdhërit të ushtrisë së atëhershme jugosllave e forcave paramilitare serbe!”
Duke përfunduar me një mesazh të fuqishëm shprese dhe qëndrese, Alishani shtoi:
“Sot, 26 vite më vonë, Tërnoci është këtu. Shqiptarët janë këtu dhe këtu do të jenë përgjithmonë. Pavarësisht situatave, krizave e vështirësive, Tërnoci do të mbetet i fortë, i paluhatshëm e krenar.
Zoti bekoftë Tërnocin dhe Luginën. Zoti bekoftë shqiptarët!”
Ngjarja e 23 prillit 1999 është një nga episodet më të rënda të represionit gjatë fushatës së dhunës që shoqëroi luftën në Kosovë, dhe mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/