Një reagim i fuqishëm simbolik erdhi nga tifo-grupi “Agallarët” në ndeshjen e djeshme mes KF “Tërnoci” dhe Torpedo, si përgjigje ndaj incidentit tronditës të ndodhur në Bosilegrad, ku një pjesëtar i Policisë së Serbisë sulmoi fizikisht futbollistin shqiptar të KF “Tërnoci”, Veton Zeqiri, duke hyrë në fushën e lojës.
Në fillim të ndeshjes, “Agallarët” shpalosën një transparent domethënës, në të cilin shihej një ilustrim i qartë i momentit të sulmit – polici serb me dorë të ngritur ndaj një futbollisti që formon simbolin e shqiponjës me duar, një akt që u përjetua si mbrojtje dinjitoze dhe e guximshme e identitetit dhe dinjitetit shqiptar.
Ky akt paqësor dhe artistik nuk kaloi pa reagim nga autoritetet. Policia në Bujanoc reagoi menjëherë duke ftuar për “bisedë informative” dy të rinj nga Tërnoci, Dorart Ramadani dhe Arian Rexhepi, në cilësinë e qytetarëve, për “mbledhje informacionesh në procedurë paraprake hetimore” në lidhje me transparentin e shpalosur më 13.04.2024 në stadiumin e KF “Tërnoci”, duke u mbështetur në nenet e Kodit Penal të Republikës së Serbisë.
Pavarësisht zhvillimeve shqetësuese, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga përfaqësuesit institucional e politikë shqiptarë, të cilët sipas shumë qytetarëve pritet të mbrojnë të drejtat e të rinjve dhe të reagojnë ndaj çdo forme të presionit institucional mbi komunitetin shqiptar./LUGINALAJMI/