Njëra ndër ngjarjet më të errëta dhe më të dhimbshme të fshatit Tërnoc (23 prilli i vitit 1999), asesi nuk mblodhi as 20 ternocas. Për çudi, thirrjes së Bashkësisë Lokale të Tërnocit që të shënohet kjo datë, si njëra ndër datat më të dhimbshme dhe të rëndësishme të Tërnocit, nuk hasi në mirëkuptim të ternocasve. Në shënimin e 26 vjetorit të bastisjes së fshatit më të madh në ish-Jugosllavi, morën pjesë një numër i vogël i ternocasve, mes të cilëve deputeti Shaip Kamberi, ish-kryetari i komunës Nagip Arifi dhe kryetari aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Megjithatë, munguan shumë figura të tjera politike dhe institucionale që përfaqësojnë interesat e bashkësisë shqiptare këtu.
Ky mosangazhim dhe mospjesëmarrje për një ngjarje kaq të rëndësishme është shqetësuese, pasi fakti që një datë historike si kjo e 23 prillit po zbehet, tregon një indiferencë që mund të ketë pasoja të rënda. Shprehja e njohur e filozofit dhe shkrimtarit spanjoll George Santayana, “Those who cannot remember the past are condemned to repeat it” (Ata që nuk mund të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar t’a përsërisin atë), është një mësim i rëndësishëm. Kur harrohet historia, ajo mund të përsëritet. Angazhimi dhe kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të jetë një mësim i vazhdueshëm për të ardhmen, për të siguruar që dhimbjet e kaluarës të mos shuhen dhe të mos harrohen./LUGINALAJMI/