Avokati Lluka Jovanoviq nga Beogradi, i cili përfaqëson disa qytetarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të prekur nga pasivizimi i adresave, ka ngritur alarmin për një praktikë të vazhdueshme të cilën e cilëson si diskriminim sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi.
Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, RTK, avokati Jovanoviq theksoi se kjo masë administrative po i privon mijëra qytetarë nga të drejtat elementare si: letërnjoftimi, libreza e shëndetit, patenta e shoferit dhe qasja në shërbime publike.
“Thelbi është se njerëzve po u fshihet vendbanimi pa asnjë njoftim dhe pa të drejtë deklarimi. Ata praktikisht fshihen nga sistemi dhe u mohohen dokumentet personale. Kjo përbën një formë të inxhinieringut administrativ që, ndër të tjera, ndikon në manipulimin e listave zgjedhore dhe ndryshimin e strukturës së pushtetit lokal,” deklaroi Jovanoviq.
Ai aktualisht përfaqëson qytetarë të prekur para Gjykatës Administrative në Beograd, ndërsa ka njoftuar edhe Parlamentin Evropian mbi këtë çështje. Në një letër drejtuar eurodeputetit Tonino Piculla, Jovanoviq ka kërkuar ndërhyrje, duke vënë në dukje se qytetarët janë përjashtuar nga proceset zgjedhore dhe regjistrimet pa njoftim paraprak dhe pa të drejtë ankese.
Sipas tij, praktika e pasivizimit është intensifikuar pas vitit 2016, dhe pasojat janë bërë të dukshme gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë, ku shumë persona nuk patën mundësi të regjistrohen për shkak të mungesës së adresës zyrtare.
“Për ta kuptuar seriozitetin e kësaj situate, duhet të mendojmë për njerëzit që nuk mund të pajisen me dokumente bazike për jetesën e përditshme. Përgjegjësia kalon nga një institucion në tjetrin dhe askush nuk ofron zgjidhje,” shton ai.
Përveç pasojave administrative, qytetarët e prekur përballen edhe me kufizime të lëvizjes, pasi Kosova njeh vetëm letërnjoftimet serbe dhe jo pasaportat e Serbisë, të cilat i posedojnë disa nga këta qytetarë – duke i lënë, siç thotë Jovanoviq, “të bllokuar mes dy realiteteve ligjore dhe politike”.
Sipas të dhënave të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, rreth 4.000 persona mund të jenë prekur nga pasivizimi, megjithatë numri i saktë mbetet i panjohur për shkak të mungesës së një regjistri publik.
“Nëse do të zbatoheshin në mënyrë korrekte rregullat ekzistuese të Republikës së Serbisë për regjistrimin e vendbanimit, ky problem nuk do të ekzistonte,” përfundon avokati.
Organizatat joqeveritare dhe partitë politike shqiptare nga Lugina e Preshevës kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe një reagim të qartë institucional nga autoritetet serbe./LUGINALAJMI/