Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni nga Lugina e Preshevës, i prirë nga deputeti Shaip Kamberi, ka zhvilluar takime të rëndësishme në Dallas dhe New Jersey me figura kyçe të politikës amerikane.
Në Dallas, u mbajt takim me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve – një prej aleatëve më të afërt të ish-presidentit Donald Trump. Vetëm pak orë pas këtij takimi, Trump publikoi në rrjetet sociale mbështetjen e tij të plotë për rizgjedhjen e Self në Kongres, duke e cilësuar atë si “një mbrojtës të madh të Amerikës, të sigurisë dhe të kufijve”.
Në New Jersey, delegacioni zhvilloi një takim të hapur dhe miqësor me senatorin Cory Booker, një nga zërat më të fuqishëm të Partisë Demokratike në Senatin Amerikan për çështjet e të drejtave të njeriut, drejtësinë dhe barazinë, si anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme.
Në të dy takimet, është diskutuar gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rëndësia e përfshirjes së faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve që i prekin komunitetet lokale.
Takimet e realizuara në të dy anët e spektrit politik amerikan – me përfaqësues të afërt të Presidentit Trump dhe me senatorë demokratë – konfirmojnë se çështja e Luginës së Preshevës po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në qarqet e politikës amerikane./LUGINALAJMI/



