Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, në një intervistë për Deutsche Welle ka ngritur shqetësimin për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ka kërkuar trajtim të barabartë për këtë komunitet, sikurse për serbët në Kosovë.
“S’mund të kërkojmë që serbët në Kosovë të gëzojnë të drejta të plota, ndërkohë që nuk themi asgjë për shqiptarët në jug të Serbisë,” theksoi Ahmetoviq, duke iu referuar qartë realitetit të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ka dënuar praktikat diskriminuese ndaj shqiptarëve, përfshirë pasivizimin e adresave, duke e cilësuar këtë si një çështje që duhet të marrë vëmendje të menjëhershme në Bundestag, Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian.
Gjatë javës së kaluar, Ahmetoviq është takuar në Berlin me një delegacion të përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina, përkatësisht deputetin Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi, si dhe aktivistet Flora Ferati dhe Drita Zumberi. Pas takimit, Kamberi deklaroi se:
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të problemeve tona, sidomos të pasivizimit të adresave që po prek të drejtat bazë të mijëra qytetarëve tanë.”
Ahmetoviq është zotuar se do të angazhohet për sensibilizimin ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe ka vënë theksin se pa trajtim të barabartë të pakicave nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor./LUGINALAJMI/