Për dy ditë me radhë (të marten dhe mërkuren), një grup të rinjsh shqiptarë nga Presheva dhe Bujanoci kanë zhvilluar një fushatë avokuese në Beograd, me qëllim që të prezantojnë para institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave mediatike analizën e qëndrimeve të të rinjve shqiptarë mbi “Prioriteteve të tyre mbi Planin shtatëpikësh”. Në kuadër të kësaj vizite, ata janë pritur në takime nga përfaqësues të OSBE-së në Beograd, Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), si dhe Fondacionit “Slavko Ćuruvija”. Përveç prezantimit të analizës, të rinjtë kanë dorëzuar edhe strategjinë me hapat konkretë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në ditën e dytë të qëndrimit, të rinjtë morën pjesë në konferencën me temë: “Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës: Në çfarë ndryshojnë qëndrimet e serbëve dhe shqiptarëve lokalë?”, ku u paraqitën gjetjet kryesore të analizës së realizuar në terren nga QDE-Lugina dhe KDNJ.
Sipas analizës, një nga shqetësimet më serioze është fakti se një përqindje e konsiderueshme e të rinjve nuk janë të njohur me përmbajtjen dhe objektivat e Planit Shtatëpikësh, çka tregon për një deficit të madh në komunikimin institucional dhe në përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e tyre.
Po ashtu, migrimi rezulton të jetë sfida më e theksuar në mesin e të rinjve shqiptarë në Luginë, ku shumica e të anketuarve e shohin largimin nga vendlindja si rrugën e vetme për të siguruar një jetë të dinjitetshme. Kjo tendencë lidhet ngushtë me mungesën e mundësive për arsim cilësor, punësim, avancim profesional, si dhe me diskriminimin sistemik dhe mosnjohjen e diplomave të marra në Kosovë.
Të pyetur se kush mban përgjegjësi për moszbatimin e Planit Shtatëpikësh, të rinjtë shqiptarë në shumicë theksojnë mungesën e vullnetit politik nga institucionet shtetërore të nivelit qendror në Serbi, por edhe mosangazhimin serioz nga pushteti lokal, i cili nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatim konkret të prioriteteve që përmban Plani.
Kjo fushatë avokuese është pjesë e projektit “Prioriteti i implementimit të Planit Shtatëpikësh për të rinjtë e pakicës kombëtare shqiptare”, i cili financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, përmes organizatës Iniciativa Qytetare, dhe zbatohet në partneritet nga Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc./LUGINALAJMI/









