Dr. Arsim Ejupi
Dr. Hivzi Islami
Me rastin e pezullimit të dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën, i cilësuar si një akt i errët për Kosovën, më poshtë po e shkëpusim vetëm një pjesë nga libri ynë studimor “Gjeopolitika, territori, konflikti” (2024), për të kuptuar pse e ndërmori këtë hap SHBA:
“Pas agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022 ndryshuan raportet SHBA-Rusi, BE-Rusi, Lindje-Perëndim sikundër që ndryshoi edhe rendi botëror dhe raportet në përmasa planetare. Me këtë plan fashist të Rusisë po nis një fazë e re e “neosovietizimit” të Rusisë apo një epokë e re gjeopolitike si “Luftë e Re e Ftoftë”, me një Stalin të ri apo Hitler të ri; bota nuk është më ajo që ishte! Nuk ka shumë dallim midis Hitlerit të Gjermanisë naciste dhe Putinit të Rusisë agresore. Dallimi është vetëm se Putini posedon armë bërthamore, me të cilat po e kërcënon gjithë planetin, por frikën më të madhe e mbolli te ish-republikat e BRSS-së. Por as Perëndimi dhe NATO nuk kishin reagime të fuqishme kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014! Reagimet dhe mbështetja ushtarake dhe humanitare për Ukrainën erdhën vetëm pas 24 shkurtit 2022, kur i kuptuan mirë ambiciet ruse të Putinit. Në Ballkan tash kemi përpjekjen për bërjen e “Botës serbe” si njëfarë vazhdimi të “Botës ruse” në rajonin e Rusisë, si tentojnë ata ta kthejnë ndikimin që e kishte Bashkimi Sovjetik; këtë po e bën sot Serbia (analisti L. Peci thoshte: “Perëndimi do t’i shohë me të njëjtat thjerrëza “Botën serbe” dhe “Botën e Albinit” (25.12.2023).
Çështje thelbësore mbetet a do të trimërohen aleatët e Rusisë, para së gjithash Serbia, e cilësuar si “Rusia ballkanike” dhe a do të përkëdhelet Serbia (aleate e Rusisë) nga Europa sikurse edhe deri tash? Me gjithë përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së që Serbia të distancohet nga Rusia, agresioni dhe krimet masive të saj në Ukrainë, ajo nuk po e bën këtë; pjesa dërmuese e opinionit serb, e kurajuar nga udhëheqja e Serbisë, po del mbështetësja më e madhe e Putinit krahasuar me vetë rusët në Rusi. Haptazi po vërehet se presioni i Amerikës dhe UE-së ndaj Serbisë po venitet, duke u lavdëruar pala serbe si “konstruktive” në dialog me Kosovën! Me një fjalë, Serbia, pak a shumë, vazhdon të “privilegjohet”!
…Është e vërtetë se grupacionet e caktuara politike dhe Qeveritë e Kosovës deri në vitin 2020 ishin shumë tolerante ndaj kërkesave të Serbisë dhe të ndërkombëtarëve, në veçanti lidhur me formimin, votat dhe bizneset me “Listën Sërpska”, por me njerëzit e kësaj “Liste” ka bashkëpunuar për vota edhe Partia në pushtet (VV)! E vërtetë është se Qeveria Kurti ka arritur të bëjë të duhurën, duke i “disiplinuar” grupet dhe bandat serbe në Veri për shkeljet e ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por ka bërë gabime, duke mos u koordinuar me faktorin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-në dhe KFOR-in! Një sjellje e tillë e Qeverisë Kurti, e pamatur, populiste dhe pa marrëveshje me partnerët tanë solli diçka që nuk e ka pritur askush: pas zgjedhjeve komunale në katër komunat në Veri të Kosovës (23 prill 2023), ku shumica dërmuese e popullsisë janë serbë, ndërsa me disa qindra vota Qeveria me polici donte t’i instalonte për kryetarë të komunave kandidatët shqiptarë. Në mungesë të koordinimit të aksioneve të Qeverisë së Kosovës me aleatin tonë më të madh e më të sinqertë, SHBA-ja që na çliroi dhe pavarësoi shpalli masa të rënda ndaj Kosovës. Masa edhe më të rënda ndaj Kosovës shqiptoi BE-ja! Më 30 maj 2023 ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dha një deklaratë shumë shqetësuese për Kosovën, që përmbante disa masa ndëshkuese, ndërsa Kurti i quajti deklaratat e Sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken, “të padrejta, të gabuara dhe naive” (!).
Jeff Hovenier: “Jemi shumë të brengosur për situatën në veri të Kosovës. Mendojmë që kjo ishte një krizë, nga perspektiva jonë, e panevojshme. Operacioni që ka ndodhë të premten për të siguruar qasje me dhunë në ndërtesat komunale ishte i pakoordinuar me SHBA-n. Kur e kuptuam që kjo po ndodh, këshilluam që kjo të ndalet, sepse i parashikuam pasojat të cilat po i shohim tash. Besojmë që ky aksion ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, e ka kthyer prapa procesin e avancimit e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona bileterale. Indikatori i parë i kësaj është vendimi i Gjeneral Komolit, udhëheqësit të Ushtrisë Amerikane për Europë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europë Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund…”!
…Qeveria Kurti që erdhi në pushtet përmes “tymit dhe flakës”, parullës populiste të “bashkimit kombëtar” dhe agjendës “anti-Zajednicë”, ra qartë në grackat e politikës zyrtare serbe; Perëndimi e mori Vuçiqin si njeri të dialogut, ndërsa Kurtin si refuzues të tij! Kjo Qeveri erdhi në pushtet me premtime të mëdha, ndërsa shumë pak realizoi në projektet kapitale, në punësim dhe pothuajse asgjë në ngritjen e të ardhurave në të dy sektorët dhe në rritjen e pensioneve. Si rezultat u venit shpresa për të jetuar në Kosovë dhe u përshpejtua eksodi drejt vendeve europiane! Për arsye të zëna në gojë më parë dhe tash edhe për shkak të ndalimit të “Dinarit” serb (edhe pse ndalimi ishte i ligjshëm), pa njoftim dhe pajtim me SHBA-në dhe BE-në, Qeveria nuk arriti ta kapitalizonte politikisht as agresionin ushtarak të Serbisë në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe as vjedhjen industriale të votave në zgjedhjet parlamentare dhe komunale të Serbisë më 17 dhjetor 2023, të dënuara nga BE-ja, por edhe SHBA-ja! Për rastin “Banjska”, mjerisht, as BE dhe as SHBA-ja deri sot nuk ndërmorrën asgjë për zbardhjen e saj! Dhe sikur na doli fitues kryetari i Serbisë Vuçiq, një ish-ministër i nacistit Millosheviq! Në vazhdën e situatës së krijuar rreth ndaljes së “Dinarit” nga BQK dhe Qeveria e Kosovës, Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien, duke komentuar sjelljen e Qeverisë së Kosovës theksoi se: “Nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere” (13.02.2024)!
Rasti i “Dinarit” e çoi Kosovën në KS të OKB-së dhe e rigjallëroi UNMIK-un. Prezenca e Kosovës duhet të jetë sa më rrallë në KS të OKB-së, ndërsa UNMIK-u duhet të zhbëhet sa më parë! Për zhbërjen e tij ka sa kohë që angazhohen SHBA, Britania e Madhe etj., por pas “ftohjes” së raporteve me SHBA-në, ky angazhim do të zbehet! Mosmirënjohja, fjala e shkelur dhe gënjeshtra janë sjelljet më të rënda në marrëdhëniet midis shteteve dhe miqve! Amerikanët këto sjellje nuk i tolerojnë! Kjo u pa në disa raste, pëfshirë qëndrimin e përfaqësueses së SHBA-ve në KS të OKB-së, në urimet e Presidentit Baiden për Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 etj.
Dobrica Qosiqi, “babai” i kombit serb, si më e keqja e shqiptarëve dhe e popujve joserbë, pas disfatave në luftërat e Serbisë në Kosovë e gjetiu në shek. XX, thoshte se “Kosova nuk kthehet me luftë. E vetmja mënyrë për ta kthyer Kosovën është kur klima antiamerikane zë rrënjë në Kosovë. Kur shqiptarët ndjehen të vetëmjaftueshëm dhe nacionalizmi për të mbajtur e ruajtur pushtet del para strategjisë amerikane e evropiane (nënvizimi ynë). Shërbimet tona duhet të punojnë në Kosovë e ta ndërtojnë një imazh që e imiton nacionalizmin e verbër të Millosheviqit. Kur të vie ai moment, atëherë ngjallet shpresa serbe” (D. Ćosić, “Piščevi zapisi 1999—2000: Vreme zmija”, Službeni glasnik, Beograd, 2008).
Edhe në përurimin e librit të D. Ćosić-it Kosovo, “Novosti” (Beograd, 2004), i cili në Serbinë e tërbuar nga nacionalshovinizmi për më pak se dy javë u shit në 30.000 ekzemplarë, autori në fjalën e tij theksoi: ”Totalitarizmi dhe nacionalizmi ekspansionist i shqiptarëve, i mbrojtur me ideologjinë islamiste dhe me energjitë e islamizmit nuk është i drejtuar vetëm kundër serbëve, maqedonasve, malazezëve dhe grekëve; nacionalizmi shqiptar është i drejtuar kundër Evropës dhe qytetërimit të saj…Ta lirojmë Serbinë nga Kosova. Ta mbrojmë Serbinë nga shqiptarizmi barbar. Ta bindim BE-në se në Kosovë po punohet kundër Europës, kurse SHBA-në se në Kosovë nuk po punojnë për veten” (4 nëntor 2004, Beograd).
Këtë “moment”, mjerisht, e solli kokëfortësia dhe egocentrizmi i Kurtit! Edhe komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia e fajësoi Kurtin “për sjellje të gabuar me vendosjen e kryetarëve jolegjitimë në komunat e Veriut të Kosovës” dhe “ Veprimi i dytë i njëanshëm i Qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi” (Komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, në “Corriere della Sera”, 4. 6. 2023, Romë). “Përshkallëzimi në Veri të Kosovës është një dhuratë për Rusinë dhe Vuçiqin”, thoshte në portalin gjerman të lajmeve “T-online” historiani dhe akademiku i njohur austriak Oliver J. Schmitt (3.6.2023).
Kosovës i duhet stabiliteti. Jostabiliteti i saj krijon jostabilitet rajonal dhe europian! Fitorja në paqe nuk është e lehtë; paqja fitohet vetëm me punë e përgjegjësi, sjellje racionale e mençuri politike dhe me mbështetje ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-së Bill Klinton, kur erdhi menjëherë pas çlirimit (1999) në Ferizaj, deklaroi: “ Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen”!
P. S.: Si arsye të këtij qëndrimi amerikan ndaj Kosovës janë edhe sjelljet obstruksioniste e shantazhuese të Kurtit dhe Vjosa Osmanit ndaj instancave më të larta gjyqësore, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, që nuk janë të përfshira në libër, i cili u botua në fillim të vitit 2024. Këta në vazhdimësi bënin gara se cili më shumë po i denoncon këto gjykata, secili për interesa të veta karrieriste! Kjo e fundit, me rrenën e shekullit, na la dhjetë vjet të izoluar nga lëvizja e lirë në hapësirën e BE-së, për 8.200 ha imagjinarë!
(Arsim Ejupi-Hivzi Islami: Nga libri “Gjeopolitika, territori, konflikti”, ASHAK, 2024, fq. 21-25).