Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Preshevë dhe Bujanoc, në kuadër të Turneut të Luginës për grupmoshat U7 deri U13. Vizita u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe u shoqërua nga Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, si dhe gazetarja e njohur sportive, znj. Anila Basha.
Në Preshevë, delegacioni u prit nga kryetarja e komunës, Ardita Sinani, e cila theksoi rëndësinë e këtij turneu për nxitjen e sportit te fëmijët dhe të rinjtë. “Biseduam për bashkëpunimin institucional dhe mënyrat konkrete për avancimin e infrastrukturës sportive dhe zhvillimin e futbollit në komunën tonë,” u shpreh ajo në një postim në rrjete sociale, duke falënderuar Duka për përkrahjen dhe vëmendjen ndaj potencialit të rinisë sportive në Preshevë.
Më pas, Duka vizitoi edhe Bujanocin, ku u prit nga kryetari i komunës, Arbër Pajaziti. Ky i fundit vlerësoi mbështetjen e FSHF-së për organizimin e turneut, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të bashkëpunimeve më të qëndrueshme në të ardhmen. “I shpreha mirënjohje presidentit Duka për politikat gjithëpërfshirëse të FSHF-së dhe për angazhimin në përfaqësimin e futbollistëve nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe Luginën e Preshevës,” tha Pajaziti.
Gjatë takimeve, u diskutua edhe për talentët e rinj që po rriten në këtë pjesë të vendit, me dëshirën që në të ardhmen të kenë mundësinë të përfaqësojnë Kombëtaren Shqiptare. Vizita u përmbyll me shkëmbim dhuratash simbolike dhe premtime për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e sportit./LUGINALAJMI/