Pas deklaratave fyese të ministrit serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, në të cilat ai e cilësoi Këshillin Kombëtar Shqiptar si “problem” dhe akuzoi shqiptarët për “mospërcaktim të origjinës”, ka reaguar ashpër kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rexhepi i ka cilësuar deklaratat e ministrit si ofenduese dhe si përpjekje për të delegjitimuar përfaqësimin legjitim të shqiptarëve në Serbi. Sipas tij, kjo qasje është në frymën e ideologjisë së partisë-shtet të Aleksandër Vuçiqit.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë populli më i shtypur dhe më i diskriminuar në Ballkan. Në vend që të etiketoni dhe ofendoni, ministër, zbatojeni planin që është në tavolinë prej 12 vitesh”, shkroi Rexhepi.
Ai i kujtoi ministrit Berisha se Albin Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës dhe Edi Rama kryeministër i Shqipërisë – dy shtete shqiptare të pavarura. “Nuk befasohem nga ju që dëshironi të na ndani, sepse kjo retorikë është pjesë e projektit të ‘Botës serbe’ që synon ndarjen dhe diskreditimin e shqiptarëve”, theksoi ai.
Rexhepi vuri në dukje se Qeveria e Serbisë ka miratuar më 4 qershor 2013 një plan me 7 pika për integrimin e shqiptarëve, dhe se janë zhvilluar dy dialogë të nivelit të lartë në Bujanoc (2021 dhe 2022) me pjesëmarrjen e OSBE-së, BE-së, ambasadorëve të huaj dhe institucioneve vendore. Si rezultat, në vitin 2022 është hartuar një plan konkret për integrimin e shqiptarëve në administratën publike për periudhën 2023–2026.
Sipas tij, ky plan parashikon masa konkrete për përfaqësim të drejtë në sistemin e drejtësisë, arsim, shëndetësi dhe administratë, rikthimin e gjykatave në Preshevë dhe Bujanoc, njohjen e diplomave nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përdorimin real të gjuhës shqipe dhe respektimin e simboleve kombëtare.
“Dialogu ka qenë pjesë e së kaluarës, ndërsa tash është koha e veprimit”, përfundoi Rexhepi./LUGINALAJMI/