Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Enkel Rexhepi, ka dhënë një sqarim lidhur me shqetësimet e shfaqura nga bujqit shqiptarë në Luginën e Preshevës në lidhje me vonesat e pagesave. Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se pagesat do të realizohen në ditët në vijim, duke hequr çdo dyshim për vonesa të mëtejshme.
Në postimin e tij, Rexhepi ka shkruar: “Të nderuar bujq dhe bashkëkombës të Luginës së Preshevës, më 3 janar 2025 kam marrë zyrtarisht detyrën si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Aktualisht, jemi në pritje të përfundimit të procedurave për nënshkrimin tim si Kryetar, një hap procedurial thelbësor për realizimin e transaksioneve financiare.”
Ai ka theksuar gjithashtu se transferi i mjeteve nga Republika e Kosovës ka arritur në llogarinë e KKSh-së më 30 dhjetor 2024. “Sapo të përfundojnë këto procedura tekniko-administrative, do të angazhohem që çdo euro e këtij projekti të shkojë atje ku është destinuar, pa pengesa dhe pa vonesa,” shtoi ai.
Rexhepi ka garantuar se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe me dinjitetin që e meriton, duke kërkuar përkushtim të përbashkët nga të gjithë aktorët për suksesin e kësaj iniciative të rëndësishme për Luginën e Preshevës.
“Ky proces kërkon mbështetje të gjithanshme dhe mirëkuptim nga të gjithë ne,” përfundoi ai.
Kjo iniciativë, e cila ka një rëndësi të madhe për bujqësinë në këtë rajon, do të mundësojë mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës./LUGINALAJMI/