Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka zhvilluar sot një takim zyrtar në Prishtinë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sinani ka ndarë detaje nga takimi, duke e cilësuar atë si një bashkëbisedim të ngrohtë e frytdhënës, të mbushur me vizion dhe përkushtim të ndërsjellë për projekte konkrete që prekin qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës.
“Takuam mikun tonë të çmuar, ministrin Hajrulla Çeku, me të cilin diskutuam dhe u koordinuam për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit – fusha këto thelbësore për identitetin dhe shpirtin e një kombi”, shkruan Sinani.
Ajo theksoi se projektet që do të konkretizohen do të jenë krenari e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe e Komunës së Preshevës, duke i cilësuar ato si vepra që i përkasin të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.
Sinani ka falënderuar ministrin Çeku për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe institucioni që ai drejton i japin shqiptarëve në Luginë, duke nënvizuar se lidhjet mes komuniteteve nuk i ndalin kufijtë politikë.
“Edhe pse shteti i Serbisë nuk ka lejuar disa herë ardhjen e ministrit në Luginë, lidhjet mes nesh janë shpirtërore dhe gjithnjë më të fuqishme, tashmë edhe përmes veprave konkrete”, shtoi ajo.
Në përfundim të postimit, kryetarja e Preshevës theksoi se përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, do të jepet zë dhe jetë trashëgimisë kulturore, si dhe do të ndërtohen ura të qëndrueshme për të rinjtë në fushat e sportit dhe kulturës./LUGINALAJMI/