Vetëm pak ditë pasi Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli katër thirrje publike për mbështetjen e projekteve të organizatave dhe institucioneve shqiptare në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, si dhe konkursin për angazhimin e rreth 90 të rinjve shqiptarë të diplomuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të veriut dhe Serbi, faqja zyrtare www.kksh.org, është sulmuar dhe paralizuar nga individë ende të paidentifikuar. Si pasojë e këtij sulmi kibernetik, KKSH ka qenë e detyruar të krijojë në mënyrë emergjente një faqe të re – www.kksh-aplikimi.org – për të mundësuar aplikimet e kandidatëve dhe funksionimin normal të konkurseve.
Ky incident, sipas përfaqësuesve të Këshillit, nuk është i rastësishëm. Ai po shihet si një përpjekje e qëllimshme për të sabotuar proceset e nisura nga institucioni më i lartë i shqiptarëve në Serbi, në një moment kur janë hapur thirrje të rëndësishme për përfshirjen e të rinjve, organizatave dhe institucioneve shqiptare në programe që arrijnë vlerën afër 1 milion eurove të siguruara nga Qeveria e Kosovës.
Zyrtari i lartë i KKSH-së, Alban Alili, ka reaguar publikisht duke konfirmuar sulmin dhe duke vënë në pah natyrën dashakeqe të tij. “Për disa orë rresht faqja ka qenë në sulme të vazhdueshme kibernetike nga njerëz me mendje të prishtë e me vullnet dashakeq, të cilëve, si duket, po u pengon Programi i Aftësimit Profesional i filluar nga KKSH. Faqja tani është rikthyer në funksionim të rregullt, falë punës së ekipit IT, dhe aplikimet mund të vazhdojnë. Kushdo qofshin ata, duhet ta kenë të qartë se nuk munden ta ndalin qëllimin për më shumë Kosovë e Shqipëri në Luginë – asnjëherë”, ka shkruar ai. Ky mesazh ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke hapur pyetjen e madhe: kujt realisht po i pengon fuqizimi i shqiptarëve përmes programeve të KKSH-së? Kjo nuk është hera e parë që aktivitetet e Këshillit përballen me pengesa.
Kujtojmë që në fund të vitit të kaluar, kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Memeti, i ishte drejtuar Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi, duke kërkuar ndalimin e konkursit të shpallur nga KKSH për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Pas kësaj ndërhyrjeje, ministria serbe kishte kërkuar pezullimin e shpërndarjes së mjeteve për këtë program, me arsyetimin se KKSH-ja nuk e ka këtë fushëveprim në kompetencën e saj, duke bërë që fondet për rreth 200 bujq lokalë të mbeten të bllokuara në xhirollogaritë e Këshillit. Përpjekjet për të bllokuar programet që sjellin zhvillim dhe përfshirje për shqiptarët në Luginën e Preshevës po tregojnë një realitet të hidhur – sa herë që krijohen mundësi konkrete për punësim, arsimim apo kulturë, dalin forca që përpiqen t’i ndalin.
Megjithatë, nga reagimet e zyrtarëve të KKSH-së, është e qartë se procesi nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë do të vazhdojë të jetë rruga kryesore për forcimin institucional të shqiptarëve në Luginë./LUGINALAJMI/



