Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të medias shqipe dhe për të adresuar problemet me të cilat po përballen këto media në Luginën e Preshevës, portali LUGINALAJMI fton të gjitha mediat shqipe nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe institucionet përkatëse, të bashkohen në një ankesë të përbashkët ndaj Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, pas refuzimit të plotë të projekteve të mediave shqipe nga konkursi „Konkursi për bashkëfinancimin e projekteve për prodhimin e përmbajtjes mediatike në gjuhët e pakicave kombëtare për vitin 2025“.
Ky konkurs për shpërndarjen e fondeve për mediat në gjuhët e grupeve kombëtare, që është organizuar nga institucionet e Beogradit, ka treguar një trajtim të padrejtë dhe diskriminues ndaj mediave shqiptare në Luginën e Preshevës. Prej tre vitesh, mediat shqipe janë përjashtuar dhe refuzuar nga ky lloj konkursi, duke lënë jashtë përkrahjes shumicën e mediave që operojnë në këtë rajon, të cilat janë jetike për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, si dhe për informimin e popullatës shqiptare në këtë pjesë të Serbisë.
LUGINALAJMI apelon për mbështetje nga pushtetet lokale, Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), deputetin popullor, OSBE-në, si dhe ambasadat e huaja në Beograd për të vëzhguar nga afër dhe për të ndërhyrë në këtë çështje, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe i barabartë për të gjitha mediat, pa diskriminim të asnjë grupi etnik.
Ky është një moment kyç për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e medias në Luginën e Preshevës. Përmes një reagimi të bashkërenduar dhe të fuqishëm, mund të sigurojmë që mediat shqipe të kenë mundësinë të kontribuojnë si faktorë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të informojnë popullatën pa kufizime apo pengesa të padrejta.
Ne ftojmë të gjithë aktorët e përmendur të bashkohen me ne në këtë nismë dhe të mbështesin drejtësinë dhe transparencën në proceset që lidhen me mediat shqipe në rajonin e Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/