Shkruan: Driton Bilalli
Prej vitesh, edhe shqiptarët në Republikën e Serbisë përballen me atë që quhet pasivizim i adresave.
I jetësuar përmes Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrim të vitit 2011, shumë vrojtues të brendshëm dhe të jashtëm kanë ngritur dyshime të bazuara mbi zbatimin selektiv të ligjit, sidomos ndaj pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare të cilët jetojnë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Kjo duke ndikuar edhe në strukturën demografike dhe etnike të këtij rajoni shumetnik, si në komunën e Medvegjës që ka numrin më të madh të rasteve të adresave të pasivizuara të shqiptarëve pakicë.
Ky pazivizim e ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e komunitetit shqiptar duke ndikuar në të drejtat e tij individuale dhe kolektive në Republikën e Serbisë.
Sipas Ligjit aktual në fuqi, procedura nga fillimi e deri në fund sa i përket pasivizimit të adresës së një qytetari kalon nëpër disa faza.
E para është kërkesa për verifikim nga gjykata, organeve ose instancave të tjera, të personave fizik ose subjekteve juridike, pas së cilës kërkesë, policia bën verifikimin nëse një qytetar i caktuar jeton në adresën e paraqitur.
Faza tjetër është kur nga policia konstatohet se qytetari nuk banon në adresën e paraqitur dhe organi kompetent sjell aktvendim mbi pasivizimin e adresës. Pas pasivizimit, qytetari ka të drejtë që në afat prej 8 ditësh ta lajmërojë faktin mbi vendbanimin dhe adresën, edhe atë duke e ankimuar aktvendimin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pas ankesës së parashtruar nga qytetari ndaj të cilit është sjellur aktvendimi mbi pasivizimin, policia është e obliguar që sërish ta konstatojë gjendjen faktike të banimit dhe në fund të sjell aktvendim të ri mbi gjendjen e konstatuar.
Kjo në fakt paraqet të drejtat dhe obligimet e organit i cili e udhëheq procedurën e pasivizimit në njërën anë, si dhe të drejtat dhe obligimet e qytetarit ndaj të cilit udhëhiqet procedura e pasivizimit, të përshkruar në nenin 18 të Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve.
Mirëpo, gjendja në praktikë është e ndryshme nga ajo që paraqitet në normat ligjore. Sipas jo pak qytetarëve që janë pasivizuar, në shumicën pothuajse absolute të rasteve, ata nuk janë njoftuar përmes aktvendimit të cilin policia është e obliguar ta sjell pas verifikimit të adresës. Janë njoftuar gojarisht kur janë paraqitur në stacionet policore për raste të tjera, sikurse për ta vazhduar afatin e letërnjoftimit, pasaportës, patent shoferin, në shpërputhje me paragrafin 4 të nenit 18 të Ligjit për vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve.
Kësisoj, qytetarët e humbin afatin ligjor për ankimim ndaj aktvendimit të cilin të njëjtit jo për fajin e tyre nuk e kanë marrë asnjëherë. Ata që kanë ende mundësi ligjore detyrohen që në stacion policor të paraqiten për të pritur vizita në terren nga punonjësit e policisë në adresën e shtëpisë së tyre. E kjo vizitë nuk ka periudhë të paracaktuar. Ka raste kur punonjësit e policisë paraqiten disa herë dhe ka të tilla raste që të njëjtit nuk paraqiten asnjëherë për vizitë. Kjo pritje e qytetarëve mund të zgjasë deri në 6 muaj. Kjo sepse, Ligji në fjalë nuk e përcakton kohëzgjatjen e verifikimit nga ana e punonjësit të policisë. Qytetari i paraqitur në raste të tilla duhet të presë në çdo moment në adresën e paraqitur. Në vizitën e parë në të cilën qytetari nuk gjindet në adresën e paraqitur, ndaj të njëjtit sillet aktvendim për pasivizimin e sërishëm të adresës. Për këtë periudhë të pacaktuar, qytetarët privohen nga çfarëdo angazhimi, pune apo vizite jashtë adresës së paraqitur, nga druajtja se mund në çdo moment të vijnë në vizitë punonjësit e policisë dhe të mos e gjejnë atë në adresën e paraqitur.
Ka edhe raste, sikur në komunën e Bujanocit, kur qytetari i pasivizuar ka paraqitur dëshmi se në periudhën e verifikimit ka qenë për arsye shëndetësore në spital, porse nuk është marrë si arsyetim i bazuar.
Përveç faktorit kohë, ankimimi nënkupton edhe angazhimin e avokatit, që është kosto dhe ngarkesë për një shtresë sociale që nuk mund ta përballojë. Pa e marrë parasysh mungesën e besimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet e drejtësisë. Dhe faktin që procedurat e ankimimit të pasivizimit, nga Gjykata Administrative deri në Gjykatën Kushtetuese, mund të zgjasin me vite të tëra.
Përderisa studentë dhe punëtorë të përkohshëm jashtë vendit jetojnë në ethet se një ditë mund të pasivizohen pa paralajmërim, të tjerë që kanë patundshmëri dhe që paguajnë taksa janë tashmë të pasivizuar pa e ditur.
(Autori është jurist pranë Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Republikën e Serbisë. Ky publikim u mundësua në kuadër të projektit “Passivization: the right to an adress for all“, me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund (RBF), të implementuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut (KDNJ) me seli në Bujanoc. Përmbajtja nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e The Rockefeller Brothers Fund).