Ministria e Informimit dhe Telekomunikacionit e Republikës së Serbisë ka refuzuar në tërësi të gjitha projektet e paraqitura nga mediat në gjuhën shqipe në kuadër të Thirrjes për bashkëfinancimin e projekteve për prodhimin e përmbajtjeve mediatike për mediat online për vitin 2025. Ky është rasti i parë që asnjë medium shqiptar nga Bujanoci dhe Presheva nuk ka marrë mbështetje financiare nga kjo ministri, duke ngritur shqetësime serioze për qasjen diskriminuese ndaj mediave në gjuhën shqipe.
Ndër mediat e refuzuara janë portali informativ LUGINALAJMI, televizioni RTV Aldi, platforma Info Wiki, si dhe organizatat qytetare që merren me prodhimin e përmbajtjeve mediatike si “The Future” dhe “BE Active 16”. Vendimi i ministrisë ka ngjallur indinjatë në mesin e komunitetit mediatik shqiptar në Luginë të Preshevës, i cili këtë situatë e sheh si përjashtim sistematik dhe të pajustifikuar.
E vetmja iniciativë në gjuhën shqipe që ka marrë mbështetje është projekti “Talentët e rinj”, i paraqitur nga Radio Televizioni Bujanoci – një medium që, ndonëse operon në territorin e Bujanocit dhe transmeton në gjuhën shqipe, drejtohet nga një pronar serb nga Vranja./LUGINALAJMI/