Ministria për Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social e Serbisë ka refuzuar të çertifikojë kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, duke përshkruar këtë veprim si një akt të hapur diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Refuzimi vjen në një moment delikat, kur KKSH kishte shpallur një konkurs për financimin e bujqve nga mjetet e Qeverisë së Kosovës, një ndihmë që tani rrezikon të bllokohet nga autoritetet serbe.
Ky vendim është parë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj autonomisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Më 27 janar 2025, Ministria për Drejtat e Njeriut anuloi vendimin e KKSH-së për shpalljen e thirrjes publike për subvencionimin e fermerëve shqiptarë, duke theksuar se ky veprim shkel ligjet e Serbisë për pakicat nacionale. Ky vendim është konsideruar nga KKSH si një përpjekje për të mbajtur shqiptarët të izoluar dhe të varfër, duke mos i lejuar të përfitojnë nga mbështetje ndërkombëtare, ndërkohë që shteti serb nuk ofron ndihmë për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Për më tepër, më 28 janar 2025, Ministria refuzoi të regjistrojë kryetarin e ri të KKSH-së, Enkel Rexhepi, duke përdorur argumente burokratike dhe teknikalitete për të delegjitimuar procesin zgjedhor. Ky veprim synon të krijojë një ngërç institucional, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për të udhëhequr dhe përfaqësuar veten në një organ që është krijuar për të mbrojtur interesat e tyre.
Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka cilësuar këtë veprim si një akt të hapur armiqësor, që vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit serb për të shuar çdo mundësi zhvillimi dhe përfaqësimi të shqiptarëve të Luginës. Ky është një sulm ndaj autonomisë institucionale të shqiptarëve dhe një përpjekje për të sabotuar çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat e komunitetit shqiptar.
Përballë këtyre veprimeve, KKSH ka paralajmëruar masa ligjore dhe diplomatike, duke njoftuar se do të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative të Serbisë për shfuqizimin e vendimeve të tilla, dhe do të kërkojë ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. KKSH ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm ndaj këtyre akteve të papranueshme, që shkelin të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe përpjekjet e tyre për zhvillim dhe mbijetesë.
Ky është një moment kritik për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët nuk do të ndalen në luftën e tyre për të drejtat dhe autonominë e tyre, duke kërkuar mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për të kundërshtuar politikën e shtypjes dhe izolimit nga shteti serb./LUGINALAJMI/