Pas publikimit të deklaratës së Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, në të cilën ndër të tjera thuhej se “Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur disa herë konkurse publike për pranimin e pjesëtarëve të rinj të policisë, por, për fat të keq, interesi i kandidatëve nga komuniteti shqiptar ka qenë shumë i ulët”, ka ardhur një reagim i fortë nga ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
“Ministri gënjeshtar Martinoviq dhe drejtori rrenacak Mitroviq”, ka shkruar Mustafi në reagimin e tij, duke theksuar se shqiptarët kanë aplikuar në çdo konkurs të shpallur, përfshirë edhe konkursin e fundit të majit 2025, ku nga 43 të pranuar, asnjë nuk ishte shqiptar.
Sipas tij, të rinjtë shqiptarë që kanë plotësuar kriteret bazë nuk janë pranuar në Akademinë Policore që nga viti 2008. “Kjo nuk është mungesë interesi, por diskriminim institucional dhe mendësi koloniale”, ka theksuar ai.
Mustafi sjell shembuj konkretë të kandidatëve shqiptarë që, sipas tij, janë eliminuar padrejtësisht gjatë fazës së testimit dhe intervistimit, shumë prej të cilëve janë përjashtuar vetëm pse kanë pasur të afërm që kanë qenë pjesëtarë të ish-UÇPMB-së. “Ka raste të dokumentuara kur aplikantët shqiptarë, edhe pse kanë kaluar me sukses testet paraprake, nuk janë ftuar fare në fazën përfundimtare”, shprehet ai.
Në përfundim, Mustafi e krahason situatën në Serbi me atë në Kosovë, duke theksuar se Republika e Kosovës jo vetëm që garanton përfaqësimin institucional të pakicave, veçanërisht të komunitetit serb, por është edhe model për gjithë rajonin sa i përket kornizës ligjore dhe pjesëmarrjes së garantuar të pakicave në institucionet shtetërore./LUGINALAJMI/