Partia për Veprim Demokratik (PVD), subjekti i parë politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ka shënuar dje 35-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka përcjellë një mesazh urimi për anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e Luginës, duke theksuar rrugëtimin dhe sfidat e partisë që nga themelimi i saj më 1990.
Në fjalën e tij, Kamberi kujtoi se PVD lindi në një kohë të errët për shqiptarët në ish-Jugosllavi, si përgjigje ndaj shtypjes dhe diskriminimit, duke u bërë që nga dita e parë “zë i fuqishëm i shqiptarëve për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor”.
Ai nënvizoi se në këto tri dekada e gjysmë, PVD është përballur me diktaturën e Millosheviqit, me qeveritë diskriminuese të Serbisë dhe me sfidat e sotme të autoritarizmit, por “nuk është tërhequr asnjëherë, sepse forca e saj ka buruar nga vullneti i popullit”.
Kamberi theksoi se PVD ka lënë gjurmë në të gjitha nivelet e jetës politike e shoqërore – nga qeverisja lokale dhe Këshilli Kombëtar, deri te përfaqësimi në Kuvendin e Serbisë – duke mbetur bartëse e luftës politike e demokratike për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
Megjithatë, ai paralajmëroi edhe për sfidat aktuale: fragmentimin e skenës politike shqiptare, emigrimin e madh të të rinjve dhe vazhdimin e diskriminimit institucional në Serbi. Sipas tij, këto zhvillime kanë sjellë dobësim të zërit të përbashkët politik, duke e bërë edhe më të domosdoshëm unitetin.
“PVD, edhe në këto rrethana, duke ushtruar tre nga katër funksionet më të rëndësishme në Luginë, mbetet shtëpia politike e shqiptarëve që besojnë në demokraci, unitet dhe të ardhmen e Luginës. Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo të drejtë të mohuar dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë për gjeneratat që vijnë”, tha Kamberi.
Në fund, ai theksoi se avancimi i raporteve me Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një nga prioritetet kryesore të PVD-së, përkrah luftës për të drejta, liri e barazi.
“35 vjet janë një histori e madhe, por edhe një fillim i ri. Sot kemi nevojë për më shumë unitet, për më shumë vizion dhe për më shumë besim tek e ardhmja jonë e përbashkët. PVD do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj rruge, duke punuar me përkushtim për të drejtat tona dhe për dinjitetin tonë kombëtar”, u shpreh Kamberi./LUGINALAJMI/