Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Bujanocit, Driton Rexhepi, zhvilluan dje një takim në Prishtinë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, Pajaziti ka dhënë detaje për bisedën që patën me presidenten kosovare.
Në një postim në Facebook, Pajaziti ka shkruar: “Me Dritonin dhe Shabanin, sot u pritëm ngrohtësisht nga presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani. Zhvilluam një bisedë miqësore dhe shumë të hapur, duke diskutuar temat që preokupojnë qytetarët në komunën e Bujanocit dhe në përgjithësi në Luginë.”
Pajaziti ka theksuar se presidentja Osmani ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e paraqitura nga delegacioni i Bujanocit dhe ka shfaqur gatishmërinë për të koordinuar mbështetje konkrete për qytetarët. “Ritheksuam domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional me Kosovën, pa përjashtime, duke eliminuar animet politike të çfarëdo lloji,” ka shtuar ai.
Kryetari Pajaziti dhe Kryetari Rexhepi gjithashtu falenderuan presidenten Osmani për ndihmat që Kosova ka dhënë për Luginën e Preshevës dhe miratimin e disa ligjeve që përmirësojnë pozitat e shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë atje. Një falënderim i veçantë është shprehur për angazhimin e presidentes në çështjen e shqiptarëve të Luginës gjatë takimeve me diplomatë të huaj dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në përfundim, Pajaziti dhe Rexhepi i uruam presidentes Osmani mbarëvajtje të procesit zgjedhor në Kosovë, duke shprehur besimin se do të dëshmohet niveli i lartë i demokracisë. Ata gjithashtu shfaqën gatishmërinë për një vizitë të presidentes në Bujanoc në të ardhmen, me shpresë se kjo vizitë nuk do të hasë në pengesa nga autoritetet e Beogradit./LUGINALAJMI/