-Foto ilustrim-
Gjykata Themelore në Bujanoc ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ndihmësin e kryetarit të Komunës së Bujanocit, Stefan Arsiq, dhe për babain e tij, Sashë Arsiq, i cili është gjithashtu këshilltar komunal në Kuvendin e Bujanocit.
Sipas burimeve lokale, paraburgimi është caktuar pasi ata dyshohet se kanë rrahur brutalisht një polic në pension në një kafene në fshatin Klenike, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike të Nishit për trajtim mjekësor, ndërsa të dy të dyshuarit ishin në arrati për disa ditë pas incidentit.
Deri më tani, Komuna e Bujanocit nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë ngjarje, ndërsa kryetari Arbër Pajaziti ende nuk është deklaruar për arrestimin e ndihmësit të tij.
Në lidhje me rastin ka reaguar këshilltari opozitar në Kuvendin Komunal, Rahim Salihi, i cili ka kujtuar se kishte paralajmëruar më herët për sjelljet problematike dhe keqpërdorimet e pushtetit nga ana e disa zyrtarëve komunalë.
“Së bashku me ndihmësin e kryetarit, në paraburgim ndodhet edhe babai i tij, i cili është njëherësh edhe këshilltar i Kuvendit Komunal dhe pjesë e koalicionit bashkëqeverisës me Frontin për Ndryshim. Të dy personat disa ditë më parë ushtruan dhunë brutale ndaj një qytetari të komunës, ndërsa dyshohet se edhe një muaj më parë kishin organizuar një sulm tjetër ndaj një qytetari tjetër,” ka deklaruar Salihi.
Ai ka shtuar se në një nga seancat e fundit të Kuvendit Komunal kishte informuar publikisht kryetarin e komunës për këto shqetësime, por nuk ishte marrë asnjë masë. “Ky rast dëshmon qartë se abuzimi me detyrën publike dhe prirja për dhunë nuk ishin vetëm paralajmërime politike, por realitet i konfirmuar me veprimet e fundit,” ka theksuar ai, duke kërkuar që Pajaziti ta shkarkojë menjëherë nga detyra ndihmësin e tij.
Në fund, Salihi ka theksuar se “drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa dallim pozite, partie apo mbështetje politike.”/LUGINALAJMI/