-Foto ilustrim-
Pas protestës simbolike të tifozëve të KF “Tërnoci”, autoritetet kanë thirrur për bisedë informative edhe drejtuesit e klubit, në vazhdën e hetimeve të nisura për transparentin e shpalosur në ndeshjen ndaj Torpedos më 13 prill.
Gjithçka nisi me një reagim simbolik nga grupi i tifozëve “Agallarët”, të cilët gjatë ndeshjes së së dielës shpalosën një koreografi që përshkruante momentin e incidentit të ndodhur më parë në Bosilegrad. Në atë incident, një pjesëtar i Policisë së Serbisë hyri në fushë dhe sulmoi fizikisht futbollistin shqiptar të KF “Tërnoci”, Veton Zeqiri.
Transparenti i shfaqur nga tifozët përmbante një ilustrim ku paraqitej polici serb me dorë të ngritur ndaj një lojtari që formonte me duar simbolin e shqiponjës – një akt që u përjetua nga komuniteti shqiptar si shenjë e rezistencës dhe krenarisë kombëtare.
Ky mesazh paqësor dhe artistik nuk kaloi pa reagim nga autoritetet. Të hënën, Policia në Bujanoc thirri për “bisedë informative” dy të rinj, Dorart Ramadani dhe Arian Rexhepi, në lidhje me organizimin e koreografisë, duke u thirrur në bazë të procedurave hetimore paraprake të Kodit Penal të Republikës së Serbisë.
Ndërkohë, dje (e martë), për të dhënë deklarata në Stacionin Policor në Bujanoc janë paraqitur edhe drejtuesit e KF “Tërnoci”: kryetari Jusuf Hasani dhe drejtori i klubit, Rushit Ibrahimi. Ende mbetet e paqartë se si do të trajtohet ky rast nga autoritetet, ndërsa komuniteti pret me shqetësim zhvillimet e mëtejshme, shkruan Fol Online, përcjellë LUGINALAJMI.
Kujtojmë se incidenti i Bosilegradit dhe reagimi i tifozëve erdhën si një mënyrë për të dënuar dhunën policore ndaj futbollistëve shqiptarë në Serbi, duke kërkuar respekt dhe barazi në trajtim./LUGINALAJMI/